Lidhje

Bugajski: Tensionet politike në Shqipëri ndikojnë negativisht në aspiratat për integrim euro-atlantik


Analisti amerikan Janusz Bugajski paralajmëron se acarimet politike në Shqipëri do të ndikonin negativisht në aspiratat për integrim euro-atlantik. Zoti Bugajski, Drejtor i Projektit për Demokracitë e reja evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se polemikat e largojnë vëmendjen nga sfidat e vërteta dhe se bashkëpunimi mes të dyja palëve të politikës shqiptare është thelbësor për imazhin e Shqipërisë para komunitetit ndërkombëtar.

Ndërsa në Shqipëri nuk duket të ketë shenja për zbutjen e tensioneve politike, zoti Bugajski thotë se është për të ardhur keq që po shihen përsëri këto qëndrime të polarizuara mes socialistëve dhe demokratëve në Parlament, sidomos tani që Shqipëria po ndiqet nga afër para takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Rigë në nëntor, si kandidate e mundshme për anëtarësim.

“Nëse kjo qeveri e re nuk arrin të gëzojë legjitimitet në gjithë spektrin, nëse nuk arrin të zbatojë ligjet dhe reformat e nevojshme dhe të merret me çështjet e krimit dhe korrupsionit si edhe të tjera probleme delikate dhe nëse rikthehet përsëri një polarizim aq i madh, saqë sistemi përsëri të rrezikojë të dëmtohet, do të ishte diçka shumë negative për Shqipërinë para këtij takimi”.

Zoti Bugajski përmend faktin që Shqipëria ka një program të tërë reformash për të zbatuar dhe se jo vetëm NATO-ja, por edhe Bashkimi Evropian pret që Shqipëria të plotësojë kriteret për të kaluar në fazën e mëtejshme drejt anëtarësimit të mundshëm.

“Por ky është një proces i gjatë dhe nëse qeveria dhe opozita nuk mund të punojnë së bashku në parlament dhe jashtë tij, atëherë pasojat bien mbi Shqipërinë dhe besimi i opinionit publik tek kompetenca e udhëheqjes politike do të bjerë”.

Duke patur parasysh që Shqipëria duhet të plotësojë deri në nëntor shumicën e kritereve në bazë të të cilave gjykohet secili vend për mundësinë e anëtarësimit në NATO dhe se nuk mund t’ia lejojë vetes që të mbetet prapa, Kroacisë dhe Maqedonisë, analisti amerikan shpreh shpresën që të fitojë maturia.

“Unë e di që Kryeministri Berisha mund të ndihmojë që të vendosë Shqipërinë në rrugë të mbarë për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, por ai duhet të tregojë vërtet moderim dhe të angazhojë të dyja palët për këtë synim”.

Ai shton se megjithëse puna mund të vazhdojë për përmbushjen e kritereve, retorika mund ta largojë vëmendjen nga procesi i integrimit duke u përqendruar tek individët dhe akuzat personale, duke sjellë si pasojë edhe zhvendosjen e vëmendjes së shtypit dhe polarizimin e opinionit publik.

“Fjalët ndonjëherë lënë më shumë gjurmë sesa veprat. Me fjalë të tjera nëse vazhdimisht të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën për mashtrime, lojra politike, krim apo korrupsion, për komunizëm, apo çfarëdo tjetër, struktura politike do të bëhet aq e polarizuar, saqë është shumë e vështirë që të arrihet një konsensus kombëtar, për përparësi kombëtare”.

Ai kujton se një situatë e tillë tensionesh politike u krijua nën qeverisjen socialiste dhe qeveria aktuale nuk duhet ta rikthejë atë situatë. Sipas zotit Bugajski retorika e ashpër dhe akuzat nuk janë të mjaftueshme. Ai thotë se nëse qeveria ka prova për krime dhe korrupsion atëherë duhet bërë një hetim i ligjshëm.

“Dikur njerëzit akuzonin njëri-tjetrin si komunistë, ndërsa tani akuzojnë njëri-tjetrin si kriminelë. Nuk mund t’i leshosh akuzat pa pasur prova, pa u bërë një hetim. Kështuqë mendoj që retorika duhet të zbutet dhe qeveria duhet të punojë seriozisht nëse do vërtet që të zgjidhë problemin e korrupsionit dhe të merret me persona të caktuar mbi të cilët kryhen hetime dhe jo të akuzojë një parti të tërë, ose udhëheqjen e opozitës si të korruptuar dhe kriminelë”.

Për analistin është shumë e rëndësishme që të arrihet shpejt një lloj marrëveshjeje, në mënyrë që socialistët të kthehen në komisionet parlamentare dhe të kthehet normaliteti në punimet e parlamentit, përndryshe klima e konfliktit dhe paqëndrueshmërie të mundshme, do të shihet shumë negativisht nga komuniteti ndërkombëtar.

“Ata duhet të bëjnë ftesë opozitës që t’i rikthehet aktivitetit parlamentar për t’u marrë me ligje të rëndësishme dhe t’i tregojnë komunitetit kombëtar që të dyja palët e spektrit politik po punojnë për të mirën e Shqipërisë. Kjo do të ishte diçka thelbësore”.

XS
SM
MD
LG