Lidhje

Dobbins: Zhvillimet e fundit në Kosovë janë inkurajuese dhe një shenjë e mirë


Koalicioni qeverisës në Kosovë, tha se ra dakort për përbërjen e qeverisë së re, me disa ndryshime të vogla. Lidhja Demeokratike e Kosovës tha se do të mbajë shumicën e ministrave në të njetat poste, por do të emërojë Lutfi Hazirin si zëvendës kryeministër. Riorganizmi i qeverisë pason dorëheqjen e ish Kryeministrit Bajram Kosumi pas kritikave për dobësi në qeverisje. Të premten pritet të mblidhet Parlamenti i Kosovës për të miratuar kandidaturën e Agim Çekut si kryeminsitër. Zoti Çeku aktualisht është komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Një prej ekspertëve më të njohur në Washington për Evropën dhe Ballkanin, James Dobbins, ish këshilltar i posaçëm i presidentit dhe i sekretarit të shtetit për Ballkanin, thotë se zhvillimet e fundit në Kosovë janë inkurajuese dhe një shenjë e mirë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Dobbins thotë se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, pa dyshim që do të vazhdojë të luajë rol në Kosovë, por ato do të dëshironin që ky rol të zvogëlohej.

Zëri i Amerikës: Ka pasur zëra se fakti që zhvillimet e fundit në Kosovë, si vdekja e ish presidentit Ibrahim Rugova dhe dorëheqjet e javës së kaluar, janë kapërcyer në mënyrë paqësore dhe demokratike, tregojnë se Kosova është e gatshme të marrë pavarësinë menjëherë. A jeni ju dakord me këtë vlerësim?

James Dobbins: Është inkurajuese që këto ndryshime janë bërë në mënyrë paqësore dhe demokratike dhe kjo është shenjë e mirë. Mendoj se ekzistojnë shumë kritere të tjera, që komuniteti ndërkombëtar do të përdorë për të gjykuar gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësitë e pavarësisë, mes të cilave një prej më të rëndësishmeve është trajtimi i pakicave.

Zëri i Amerikës: Me gjithë këto ndryshime në skenën politike të Kosovës, si e shikoni ju vazhdimin e negociatave për statusin final dhe nëse asaj i jepet pavarësia, a janë autoritetet shqiptare të afta të marrin frenat e drejtimit?

James Dobbins: Mendoj se është bërë përparim i madh gjatë më shumë se 5 vjetëve të fundit, që prej hyrjes së forcave të NATO-s, vendosjes së administratës së Kombeve të Bashkuara dhe ndërtimit të institucioneve demokratike lokale. Megjithatë mendoj se udhëheqja e Kosovës duhet ende t’i tregojë komunitetit ndërkombëtar, nëpërmjet qëndrimit që mban në bisedime, nëpërmjet masave që janë të gatshëm të ndërmarrin për pakicat, dhe nëpërmjet garancive që do të ofrojnë, se ata janë në fakt gati të marrin përsipër përgjegjësitë e sovranitetit e të pavarësisë. Pra siç thashë, është bërë përparim, por mendoj se politikanëve shqiptarë do t’u duhet të marrin masa të tjera për të treguar se janë të përgatitur për të udhëhequr vendin.

Zëri i Amerikës: Qëndrimet e Prishtinës e të Beogradit duket se janë më të kundërta se kurrë. Si mund të gjendet një zgjidhje, në ç’mënyrë?

James Dobbins: Mendoj se Kombet e Bashkuara me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të Grupit të Kontaktit do të përpiqen të nxisin takimet dhe shkëmbimet midis palës shqiptare dhe asaj sërbe. Nuk mendoj se ata do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje për të gjitha çështjet, që do të diskutohen, megjithatë mosmarrëveshjet duhet të ngushtohen dhe nga fundi i këtij viti, ndoshta fillimi i vitit tjetër, përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara do të arrijë në përfundimin se është bërë maksimumi për sa i përket marrëveshjeve të arritura mes dy palëve. Në një moment të tillë, ai do të paraqesë rekomandimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me hapat që duhet të ndërmarrë ky i fundit rreth statusit final të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Cili duhet të jetë roli i komunitetit ndërkombëtar, e veçanërisht atij amerikan, në Kosovë, gjatë këtij viti kur flasim për përcaktimin e statusit të saj final?

James Dobbins: Është më se e qartë se komuniteti ndërkombëtar për gati 6 vjet ka siguruar në Kosovë një paqe dhe qetësi relavite. Gjatë kësaj periudhe mund të krijohen institucione politike, mund të zhvillohen dialogje mes grupeve etnike. Komuniteti ndërkombëtar pa dyshim që do të vazhdojë të luajë rol në mbikqyrjen e zhvillimeve në të ardhmen në Kosovë. Mendoj se ai do të dëshironte të luante një rol më të vogël, të transferonte më shumë përgjegjësi tek autoritetet lokale, të shikonte marrëdhënie më të mira midis Prishtinës e Beogradit. Pra komuniteti ndërkombëtar do të përpiqet të gjejë një zgjidhje, e cila do të reduktonte, dhe jo eleminonte, rolin e komunitetit ndërkombëtar, dhe do të shtonte përgjegjësitë për popullin dhe udhëheqësit e Kosovës që të vetëqeverisen. Të njëjtën gjë them edhe për rolin amerikan. Washingtoni nuk po propozon të eliminojë rolin apo praninë e tij në Kosovë, por dëshiron ta pakësojë atë. Amerika e shikon të ardhmen e Kosovës si një shoqëri normale, pjesë të Evropës. Mendoj se në vitet e para të kësaj dekade, Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë përparësinë e duhur Kosovës. Më pas administrata konstatoi rëndësinë e shtimit të pranisë amerikane atje. Mendoj se sekretarja Kondolisa Rice dhe departamenti i shtetit po i kushtojnë më shumë vemendje Kosovës. Tani Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i shtyjnë të gjitha palët që procesi i bisedimeve të vazhdojë dhe të arrihet në një farë rezultati gjatë vitit të ardhshëm. //ad//

XS
SM
MD
LG