Lidhje

A. Rohan: Bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës po shkojnë më mirë se ç’ishte parashikuar


Ndërkohë që i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari, viziton Nju Jorkun dhe Washingtonin për të raportuar rreth fillimit kohët e fundit të negociatave mbi statusin përfundimtar të Kosovës, analistë në Evropë po shprehin optimizëm të matur se bisedimet do të përfundojnë me arritjen e një zgjidhjeje brenda këtij viti.

Diplomati austriak, Albert Rohan, është ndihmësi i zotit Ahtisari dhe njeriu i ngarkuar për të drejtuar zhvillimin e negociatave të përditëshme rreth Kosovës. Gjatë një bisede me Zërin e Amerikës nga zyra e tij në Vjenë, zoti Rohan tha se raundi i parë i bisedimeve më 20 shkurt shkoi shumë më mirë se ç’ishte parashikuar. Ai tha se raundi i dytë, i planifikuar të fillojë në Vjenë më 17 mars, do të prëqendrohet tek çështje konkrete të rëndësishme për të dyja palët. Këtu përfshihen decentralizimi, të drejtat dhe përgjegjësitë e pakicave, objektet fetare e kulturore, ndarja e pasurive dhe e borxheve, si edhe e ardhmja e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas planit të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e negociatave, çështja e statusit përfundimtar është lënë për në fund. Zoti Rohan thotë se negociatorët e OKB-së dhe grupi i kontaktit i gjashtë fuqive të mëdha kanë rënë dakord që bisedimet të prëfundojnë brenda këtij viti: “Ka pasur prej atyre, sidomos shqiptarët e Kosovës, që kërkonin arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare brenda verës së këtij viti. Ne u kemi thënë se një kërkesë e tillë nuk është fare realiste. Ka pasur edhe prej atyre që kanë kërkuar që negociatat të vazhdojnë për dy ose tre vjet. Por as kjo kërkesë nuk ishte realiste. Kështu që ne dhe grupi i kontaktit kemi rënë dakord që 2006-ta të jetë suaza e këtyre bisedimeve.”

Zoti Rohan thotë se mesazhet private të dërguara të dyja palëve në bisedime nga amerikanët, britanikët, italianët dhe gjermanët, se ka shumë të ngjarë që negociatat po shkojnë drejt pavarësisë për Kosovësn, kanë ndihmuar në ecurinë e bisedimeve: “Vendet që parapelqojnë një qendrim më të hapur, më të drejtpërdrejtë dhe më të qartë shkuan tek të dyja palët me këto mesazhe private, duke u thënë atyre se çfarë mendojnë rreth të ardhmes së Kosovës. Kjo gjë ishte shumë e dobishme për shkak se në realitet i zgjoi të dyja palët, i largoi ato nga ëndërrimet dhe i bënë ato të mbajnë një qendrim më realist.”

Si zoti Rohan ashtu edhe eprori i tij, Marti Ahtisari, thonë se në radhët e anëtarëve të grupit të kontaktit ekziston një census rreth negociatave për Kosovën. Në grupin e kontaktit bëjnë pjesë, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia.

Teknikisht, Kosova mbetet pjesë e Serbisë megjithëse serbët përbëjnë më pak se 10 për qind të popullsisë. Do të ishte thuajse e sigurt se një referendum mbi pavarsinë do të miratohej nga 90 për qind e shumicës shqiptare.

Vladimir Gligorov, një akademik me bazë në Vjenë, vetë i rritur në Beograd, por babai i tij ishte presidenti i parë i Maqedonisë, thotë se interesat e Serbisë në këto bisedime janë të mëdha: “Nuk mendoj se serbët do të tërhiqen nga çfarëdo lloj negociatash. Ata do të zhvillojnë bisedime, ata do të përpiqen të arrijnë marrëveshjen më të mirë që të jetë e mundur. Serbët do të përpiqen të bindin fuqitë e huaja, pra komunitetin ndërkombëtar, që të mbështesin anën e tyre, ashtu siç do të bëjnë edhe vetë shqiptarët. Por më në fund, ky proces do të çojë në një zgjidhje.”

Mali i Zi, fqiu i Kosovës, i cili në maj të këtij viti mban referendumin e vet mbi pavarësinë, thotë se do të pranojë çdo rezultat të bisedimeve mbi Kosovën që miratohet nga Kombet e Bashkuara. Ministri i jashtëm malazias, Miodrag Vllahoviç, i tha Zërit të Amerikës se përparësia e vendit të tij lidhur me Kosovën është garantimi i të drejtave të pakicave. Ai thotë se në Mal të Zi banojnë aktualisht afro 20 mijë refugjatë nga Kosova, kryesisht serbishtfolës.

XS
SM
MD
LG