Lidhje

Parlamenti votoi kryeministrin e ri të Kosovës


Parlamenti i Kosovës miratoi sot me shumicë votash përkatësisht me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 të përmbajtur, kryeministrin Agim Çeku dhe përbërjen e kabinetit të tij, i cili pothuajse nuk ndryshon nga kabineti i kryeministrit të deritashëm Bajram Kosumi. I vetmi ndryshim është në postin e zëvendëskryeministrit të cilin tani e drejton, Lutfi Haziri, njëherësh ministër i pushtetit lokal që i ka zënë vendin Adem Salihajt.

Votimit i parapriu një debat mjaft i rreptë. Opozita e kritikoi rreptë kryeministrin Çeku duke ia parë për të madhe pse ka pranuar ta drejtojë qeverinë me përbërjen e vjetër të cilën ata e kanë akuzuar për dështim.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në qeverinë aktuale nuk po ndodhin ndryshime reale. Ai tha se është ndërruar i pari i qeverisë dhe me trafikim politik, siç u shpreh ai, ka ardhur një njeri tjetër.

Edhe Veton Surroi kryetar i Partisë Reformiste ORA, e quajti gabim që qeveria e re të përbëhet kryesisht nga ministrat e vjetër, madje ai tha se ajo çfarë po ndodh në Parlament, është krijimi i një Qeverie të re me shantazh, prandaj kjo qeveri “do të hyjë për fat të keq qoftë si akt i përmbyllur në histori si Qeveria e shantazhit".

Partitë e Koalicionit, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i cilësuan si shumë të rënda akuzat e opozitës. Vetë kryeministri 46 vjeçar Agim Ceku i cili me herët gjate ditës është anëtarësuar ne Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në fjalimin e tij gjatë të cilit foli në shqip, serbisht dhe anglisht, u zotua për qeverisje efektive dhe realizim të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për një vend të qëndrueshëm dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. Ai u zotua për plotësimin e standardeve veçanërisht atyre që janë kusht për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Zoti Çeku tha se do të punojë që dallimet ndëretnike të shndërrohen në vlera qytetare. Serbët, tha ai, duhet të besojnë se shoqëria që po ndërtohet do të mbështetet në parimet më të larta njerëzore të tolerancës dhe mirëbesimit.

Zgjedhja e zotit Çeku tashmë është përshëndetur nga një pjesë e përfaqësuesve politikë ndërkombëtarë të cilët e kanë cilësuar si veprim demokratik edhe zgjedhjen e zotit Kolë Berisha në postin e kryetarit të Parlamentit, zgjedhje e cila nuk është kundërshtuar nga askush.

Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë vendosi sot që të lejojë ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj të merret me aktivitete politike, por i vendos atij kushte të tjera kufizuese.

Dhoma e apelit e Gjykatës, i ktheu pergjigje negative ankeses se prokuroreve qe kishin kërkuar përmbysjen e një vendimi të mëparshëm të Gjykatës që e lejonte zotin Haradinaj të merrej me politikë.

Sipas vendimit të sotëm zoti Haradinaj mund të merret me aktivitete politike por duhet të marrë leje më pare trek UNMIK-u dhe duhet t’i jape 48 orë njoftim prokurorëve për llojin e aktivitetit. Vendimi po ashtu le në fuqi edhe kufizimet e mëparshme Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është akuzuar më 8 mars të vitit 2005 për krime luftë, lidhur me veprimtarinë e tij gjatë luftës në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG