Lidhje

Trajtimi i migrenës me operacion; Nanoshkenca


Trajtimi i migrenës me operacion

Disa mjekët thonë se migrena nga e cila vuajnë rreth 30 milionë amerikanë, mund të trajtohet edhe me operacion. Shkencëtarët thonë se nëpërmjet një operacioni të thjeshtë në hundë, dhimbja e migrenës nuk kthehet më kurrë në 65 përqind të rasteve.

Kur Bonnie Murin e zënë dhimjet e migrenës, asaj i duket sikur do të vdesë. Nuk mund të bëjë asgjë, ilaçet shpesh nuk i bëjnë efekt.

Për 40 vjet ajo ka jetuar me dhimbje të tilla që i përsëriten të paktën 4 herë në javë. Ndonjëherë dhimjet janë aq të forta sa që ajo detyrohet të mbushë lavamanin me akull dhe të zhysë kokën në të për të mpirë dhimbjet.

Mjekët thonë se për 25 përqind të pacientëve me migrenë, ilaçet janë të paefektëshme. Për këtë arsye, Bonie Mur pranoi këshillën e mjekut dhe shkoi tek kirurgu për një operim të thjeshtë në hundë. Operacion që tashmë po bëhet i përhapur.

Doktor Fereidon Behin thotë se njerëzit që vuajnë nga migrena, në se pikën e kontaktit e kanë në hundë, heqja e kësaj pike ka shumë të ngjarë të largojë edhe dhimbjen. Pikë kontakti ai quan vendin ku kockat e brendëshme të hundës takohen me septumin, muri ndarës i vrimave të hundës. Kur kockat e hundës shtyhen pas septumit kjo shkakton dhimbjen e kokës, që bëhet e padurueshme.

Disa mjekët besojnë se operacioni në hundë sjell rezultate të mira në 65 përqind të rasteve, por të tjerë thonë se dhimbjet e migrenës shpesh kthehen edhe pas operimit.

Statistikat tregonë se 80 përqind e amerikanëve që vuajnë nga migrena janë femra. Studimet ende jo të plota tregojnë se gratë preken më së shumti nga kjo sëmudje për arsye të ndryshimeve hormanale në organizmin e tyre. Studimet përfshijnë si shkaktarë edhe menopazën, si dhe përdorimin e ilaçeve kundër shtazanisë, apo shrregullime në orarin e gjumit, përdorimin e tepruar alkoholit dhe çokollatave. Mjekët thonë se shpesh, simptomat e migrenës diagnostikohen gabim si alergji ose sinozit.

Nanoshkenca

Nanoshkenca apo aftësia për zvogëlimin e substancave në përmasën e një atomi, tashmë ka filluar të bëhet pjesë e jetës së përditëshme. Shkencëtarët thonë se në një të ardhme jo shumë të largët, kur kjo shkencë e re të arrijë të kuptohet e të gjejë zbatim të plotë në praktikë, zhvillimet shkencore do t’i kalojnë kufijtë e imagjinatës. Për këtë teknologji të re ka edhe kritikë që thonë se ashtu si shkenca gjenetike edhe nanoshkenca ka dy anë; të mirën e rrezikun, prandaj duhet treguar kujdes, por shkencëtarët thonë se ky rrezik duket i vogël në krahasim me të mirat e shumta që ofron kjo shkencë e re. Për këtë arsye ata e kanë përfshirë nanoshkencën në grupin e teknologjive të njohura me akronimin GRIN, inicialet e Gjenetikës, Robotikës, Informatikës dhe Nano shkencës. Shkencëtarët besojnë se kur këto katër teknologji të fillojnë të përdoren të ndërthurura plotësisht me njëra tjetrën, ruzulli tokësor do t’i ngjajë një planeti fantastiko shkencor.

Nanoshkenca merrrret me studimin dhe përdorimin e substancave të imta, çdo njëra prej të cilave me madhësinë e një atomi. Për shembull, 10 mijë grimca nano mund të zënë vend në një fije floku. Shkencëtarët thonë se mundësitë e përdorimit të substancave të tilla kaq të imta janë të pafund.

Profesor Filip Stamp thotë se me substanca nano mund të krijohen gjëra të jashtëzakonëshme, mjafton të mos mungojë imagjinata. Mund të krijohen struktura molekulash thuajse të padukëshme, por që mund të hyjnë në organizëm për të dërguar ilaçin ose gjenin në vendin e sëmurë. “Pra kjo teknologji do të afektojë çdo gjë. Imagjinoni molekulat nano në pastën e dhëmbëve që do të instruktohen të bëjnë punën e dentistit”, thotë shkencëtari.

Ka kohë që teknologjia nano ka hyrë në jetën tonë. Kjo strehë për mbrojtjen nga dielli është bërë me substanca nano të oksidit të zingut. Nje shtëpi e ndërtuar me teknologjinë nano në Sidney të Australisë ka dritare që pastrohen vetë.

Disa shkencëtarë që punojnë në këtë fushë u mblodhën kohët e fundit në Kuinsland të Australisë për të diskutuar rreth kërkimeve në projektin më të rëndësishëm të nanoshkencës tani për tani; ndërtimin e një super kompjuteri.

Shkencëtarët besojnë se mikro procesorët e të pajisur me çelsa të përbërë nga një atom i vetëm mund t’i japin kompjuterit sasinë e nevojëshme të energjisë për të zgjidhur problemet më të ndërlikuara.

Profesor Stamp thotë se njerëzit zakonisht flasin për teletransportin e sendeve apo tele-portimin, duke përdorur ligjet e mekanikës kuantike. Kjo ende shikohet si fantazi, megjithëse demonstrime të suksesshme janë kryer në laborator, sigurisht në shkallë shumë të vogël.

Në katin e nëndheshëm të departamentit të Fizikës në universitetin e Kuinslandit, një grup shkencëtarësh ka arritur përparim të dukshëm në zhvillimin e superkompjuterve, pjesë e projektit ndërkombëtar i cili ka treguar se një atom mund të kontrollojë një tjetër për të krijuar një çelës quantik.

Shkencëtari i universitteit Stanford, Hari Manoharan thotë se para se të vihen në shfrytëzim fuqitë e këtyre atomeve, shkencëtarëve u duhet të kuptojnë ligjet që kontrollojnë këto substanca.

Në laborator, ata kanë arritur të veçojnë një atom të vetëm kobalti për të ndërtuar një strukturë, pra puna po ecën shumë ngadalë e me shumë kujdes; çdo atom një nga një.

Shkencëtarët ka kohë që kanë krijuar blloqe bazë për një kompjuter kuantik duke vendosur atomet e veçuara në një mikroprocesor silikoni Me këtë ata duan të tregojnë se janë në gjendje t’i kontrollojnë atomet. Nëse eksperimente të tjera tregojnë të njëjtin sukses, atëherë nanoshkenca do të arrijë t’i vijë në ndihmë mjekësisë në përmasa të paimagjinueshme, që nga riparimi i gjeneve të sëmura, luftimi i kancereve e deri në rigjenerimimin e trurit.

Por tani puna është përqëndruar në krijimin e superkompjuterit.

Profesori Robert Klark shpreson që kompjuteri kuantik i plotë do të jetë gati brenda 20 vjetëve.

Megjithatë, përpjekjet për krijimin e mundësive të përdorimit substancave nano kanë edhe kritikët e tyre. Ekzistojnë shqetësime se padashje këto grimca atomesh nano mund të dalin jashtë kontrollit dhe të çlirojnë substanca helmuese të cilat mund të hyjnë në trupin e njeriut.

Profesor Rik Flagan i institutit teknologjik të Kalifornisë, Caltech, thotë se njerëzit po fillojnë të kuptojnë se në ç’mënyrë kur këto substanca çlirohen në ajër dhe nëpërmjet frymëmarrjes depozitohen në mushkëri, ku ato mund të përçojnë membranat e qelizave duke hyrë brenda sistemit të qarkullimit të gjakut dhe kështu të përhapen në mbarë trupin. Por pasojat afatgjate të kësaj teknologjie do të marrin kohë të kuptohen.

Ndërkohë, shkencëtarët vazhdojnë punën e tyre. Ata thonë se teknologjia nano tashmë ekziston dhe në periudhë afatgjate, të mirat e saj do të jenë më të shumta sesa çdo rrezik.

XS
SM
MD
LG