Lidhje

Strategjia e re e sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara


Strategjia e re e sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, thekson se qeveria e ka për detyrë të “parashikojë dhe t’u kundërvihet kërcënimeve ndaj popullit dhe interesave amerikane dhe të përdorë të gjitha elementët e pushtetit për të mos lejuar që kërcënimet të shkaktojnë dëme të rënda.” Strategjia ripohon doktrinën që ka mbështetur administrata e Presidentit Bush të goditjes ushtarake parandaluese.

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar Stephen Hadley paraqiti strategjinë e re dje në një fjalim në Institutin Amerikan të Paqes në Uashington, një organizatë e pavarur e financuar nga Kongresi. Zoti Hadley tha se goditja parandaluese është “një strategji e përgjithshme që do të përdoret kur është e nevojshme.”

"Ky është një ndër elementët që kemi në dispozicion për t’iu përgjigjur këtyre problemeve dhe, siç e theksova, ne gjithmonë preferojmë diplomacinë ne vend të forcës parandaluese."- tha ai.

Gjatë gjithë ekzistencës së tyre, Shtetet e Bashkuara janë mbështetur në politikën e parandalimit dhe pengimit të kërcënimeve. Në ditët tona, thotë Presidenti Bush, Amerika nuk mund të presë të ndeshet me pasojat shkatërrimtare të një sulmi me armë të shkatërrimit në masë para se të reagojë. Por Harlan Ullman, ekspert i çështjeve të sigurimit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një organizatë studimore në Uashington, thotë se strategjia e sulmeve parandaluese, nuk u shërben interesave amerikane.

"Të mendojmë pak si e shohin këtë strategji ata që nuk janë amerikanë. Ky dokument do të bëhet objekt kritikash në botë. Njerëzit do t’i tremben dhe do të thonë që Amerika nuk bazohet tek bashkëpunimi ndërkombëtar dhe do të ndërmarrë vetë, pa mbështetje, sulm ndaj Iranit." - tha ai.

Strategjia e Sigurimit Kombëtar është një listë përparësish stretegjike të përgatitura nga Shtëpia e Bardhë. Në këtë stretegji përmendet se Irani po përpiqet të sigurojë armë të shkatërrimit në masë.

Ndër sfidat e tjera të sigurimit ndaj Shteteve të Bashkuara, janë sfida që paraqet sot Koreja e Veriut, e cila, siç thuhet në dokument, zotëron një arsenal të vogël bërthamor; si dhe përpjekjet e terroristëve, përfshirë rrjetin Al Kaida, për të shtënë në dorë armë të shkatërrimit në masë. Stephen Hadley thotë se këto kërcënime mund të pakësohen nga përhapja e demokracisë:

" Demokracitë e efektshme luajnë një rol qëndror në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, pasi janë aleatët tanë të natyrshëm dhe shtyllat e qëndrueshmërisë në sistemin ndërkombëtar."- tha ai.

Dokumenti mbi sigurimin kombëtar thekson se synimi përfundimtar i përkrahjes së demokracisë është zhdukja e tiranisë në botë. Po sipas këtij dokumenti, tirania vazhdon të ekzistojë në Korenë e Veriut, Iran, Siri, Kubë, Bjellorusi, Birmani dhe Zimbabve.

Strategjia e sigurimit kombëtar e cilëson Rusinë si një vend me ndikim, por i bën thirrje këtij vendi të respektojë lirinë dhe demokracinë brenda kufijve të saj, dhe të mos bëhet pengesë e këtyre vlerave në vendet fqinje.

Ndër sfidat e tjera që përfshihen në dokumentin mbi sigurinë kombëtare përfshihen gjenocidi në rajonin e Darfurit në Sudan, diktatori anti-amerikan i Kubës, Fidel Kastro, sëmundjet që nuk njohin kufinj shtetërorë, si Sida dhe gripi i shpendëve, trafiku i qenieve njerëzore dhe drogës dhe katastrofat në mjedis, të shkaktuara qoftë nga dora e njeriut apo nga forcat e natyrës.//lk

XS
SM
MD
LG