Lidhje

Miodrag Vllahovic: pavarësisht se cili do të jetë rezultati i referendumit, bashkimi i Malit të Zi me Serbinë ka marrë fund


Mali i Zi do të mbajë më 21 maj një referendum për të shpallur pavarësinë nga konfederata me Serbinë. Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vllahovic, ndodhet këto ditë në Washington për të siguruar mbështetjen amerikane për përpjekjet për pavarësi të Malit të Zi. Zoti Vllahovic ishte i ftuar të enjten në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, ku u zhvillua një forum rreth perspektivave të referendumit dhe të ardhmes së Malit të Zi.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vllahovic, pret që referendumi të jetë i sukesesshëm dhe menjëherë pas tij, të shpallet pavarësia e Malit të Zi. Ai theksoi se arsyeja e përpjekjeve për pavarësi ka të bëjë me të ardhmen e të gjithë popullsisë së Malit të Zi.

“Gjatë 10 javëve të ardhshme, qeveria e Malit të Zi, dhe të gjitha forcat politike në favor të pavarësisë duhet të organizojnë një fushatë pozitive, duke theksuar domosdoshmërinë e referendumit, interesat historike, interesat e çdo qytetari të Malit të Zi, përfshirë edhe ata që kanë dyshime e shqetësime, e që kundërshtojnë përpjekjet që Mali i Zi të jetë një vend i pavarur; një Mal i Zi i pavarur me synimin për t’u angazhuar plotësisht në proceset e integrimit europian dhe euro-atlantik, përparësia strategjike kjo numër një e vendit tonë.”

Sipas kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian, në se 50 për qind e votuesve malazezë marrin pjesë në referendum dhe në se 55 për qind e tyre votojnë pro, pavarësia do të njihej nga komuniteti ndërkombëtar. Ministri i Jashtëm Vllahovic thotë se pavarësisht se cili do të jetë rezultati i referendumit, lidhja e vendit të tij me Serbinë ka marrë fund. Ai paralajmëroi se një rezultat i referendumit mes 50 dhe 55 përqind duhet trajtuar me seriozitet. Ai shfaqi shpresën që praktikat e ndjekura gjatë 15 vjetëve të fundit në Ballkanin perëndimor dhe në vendet e ish-jugosllavisë, ku komuniteti ndërkombëtar reagoi dhe i zgjidhi krizat vetëm pasi ato ndodhën, të mos përsëriten në rastin e referendumit për pavarësi të Malit të Zi.

Drejtori i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, Janush Bugajski, i cili kryesoi forumin, shfaqi shpresën që rezultati i referendumit të jetë i qartë.

“Ne po i afrohemi një momenti me të vërtet historik. Mali i Zi do të dalë si një super demokraci nga ky referendum. Shpresoj që rezultati i referendumit të jetë shumë i qartë, pra të vendoset në se Mali i Zi do të jetë i pavarur apo do të vazhdojë të jetë pjesë e një bashkimi me Sërbinë. Një rezultat i paqartë mund të bëhet burim i ri konflikti dhe paqëndrueshmërie të mundshme.”

Sipas anketa të opinionit publik, rreth 43 për qind e popullsisië janë në favor të pavarësisë dhe 31 për qind e kundërshtojnë atë, ndërsa 24 për qind janë të pavendosur.

Ministri i jashtëm malazez shprehu besimin që komuniteti ndërkombëtar ta shtojë angazhimin e tij në zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin perëndimor.

“Stabiliteti për gjithë rajonin nuk mund të arrihet pa zgjidhjen e disa çështjeve, përfshirë këtu edhe statusin e Kosovës. Përkundrazi, zgjidhja e statusit të Kosovës, referendumi paqësor e demokratik në Mal të Zi, përpjekjet për përmirësimin e dialogut të Shqipërisë, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë për anëtarësi në institucionet evropiane vetëm mund të ndihmojnë qëndrueshmërinë e rajonit. Mendoj se të gjitha këto zhvillime ndihmojnë direkt ose indirekt në demokratizimin edhe të Sërbisë.”

Në përfundim, zoti Vllahovic theksoi se pavarësia e Malit të Zi do ta ndihmojë Sërbinë. Opozita në Mal të Zi, që është pro bashkimit me Serbinë, thotë se do të pajtohet me rezultatin e referendumit. Edhe Serbia thotë se do ta pranojë rezultatin e votimit të popullit malazez.

XS
SM
MD
LG