Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu vendos të kthejë në parlament ligjin e legalizimeve


Në Shqipëri, presidenti Alfred Moisiu vendosi sot të kthejë sërish në parlament ligjin e legalizimeve të miratuar muajin e kaluar nga shumica e djathtë. Sipas kreut të shtetit ligji ka shkelje të kushtetutës pasi bën shpronësim kolektive të pronarëve të ligjshëm për të zgjidhur një problem social në zonat informale. Sipas tij, një ligj i tillë kërkon dhe një konsensus të gjerë. Pak orë më vonë ka reaguar kryeministri Sali Berisha, i cili haptazi është shprehur se shumica që ai drejton i ka votat për ta kaluar sërish ligjin në parlament. Zoti Berisha i ka bërë thirrje banorëve të zonave informale se qeveria e tij do të zbatojë atë formulë që ka premtuar.

Presidenti Alfred Mosiu e ka shoqëruar vendimin e tij për mosdekretimin e ligjit për legalizimin edhe me argumentet juridike, që sipas tij bëjnë të nevojshëm rishikimin e tij. Kreu i shtetit ka vlerësuar se zgjdhja që ligji jep për problemin sociali të krijuar në zonat informale nuk është në përputhje me garancitë kushtetutese për mbrojtjen e pronës private.

Në të vërtetë, zgjidhja që jep ligji nuk e kthen tokën te pronari, por ajo i kalon banorëve që kanë ngritur shtëpitë e tyre pa leje vitet e fundit. Kjo tokë, sipas ligjit, do t'u njihet këtyre të fundit. Ata do e përfitojnë atë kundrejt pagesave simbolike që luhaten nga një mijë në kater mijë dollarë.

Sipas presidentit Moisiu, në asnjë rast, me përjashtim të shpronësimit për interes publik, Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, nuk autorizojnë askënd që të shpronësojë pronarët, kolektivisht për pronat e ligjshme të tyre. Një zgjidhje e tillë me ligj, në gjykim të Presidentit të Republikës, do të cënonte jo vetëm të drejtën e pronësisë, të garantuar në nenin 41 të Kushtetutës.

Shpronësimi kolektiv i pronarëve të ligjshëm për të kompensuar problemin social të të krijuar në zonat informale, është një trajtim jo i drejtë ndaj pronarëve, duke shkelur kështu edhe parimin e barazisë së shtetasve, barazi kjo e garantuar në nenin 18 të Kushtetutës.

Nga ana tjetër, sipas Presidentit, është e nevojshme që për një ligj të tillë të sigurohet dhe një konsensus sa më i gjerë politik e po ashtu dhe me grupet e interesit. Në të vërtetë në parlament opozita ishte kundër këtij ligji. Ashtu si dhe përfaqësuesit e pronarëve, të cilët sot e përshëndetën vendimin e presidentit.

Por Kryeministri Sali Berisha e mbrojti menjëherë ligjin. Pak orë pas publikimit të vendimit të kreut të shtetit ai tha se kjo është një kompetencë kushtetuese që i takon presidentit, por bëri të qartë se shumica që ai drejton, nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime dhe do ta votojë atë sërish:

"Mazhoranca i ka të gjitha votat për rivotimin e tij. Duke mos implikuar aspak presidentin i garantoj të gjithë të shpërngulurit se ata do të marrin me këtë formulë të premtuar shtëpitë e tyre. Asgjë nuk mund të pengojë këtë proces vendimtar", - tha Kryeministri.

Duke iu referuar vërejtjeve të Presidentit për shkelje të kushtetutës me ligjin e legalizimeve, Kryeministri i shpreh se për këtë vendi ka një gjykatë kushtetuese, siç ka gjithashtu edhe një gjykatë në Strasburg. Por për zotin Berisha, ligji i miratuar vetëm nga e djathta është në përputhje të plotë me të drejtën evropiane.

Kryeministri, i cili foli në një konferencë shtypi, pas vizitës se tij në Luksemburg, i doli në mbrojtje Ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj për deklaratat e tij që shkaktuan polemika të shumta. Sipas zotit Berisha deklarata është nxjerrë jashtë kontekstit, pasi Shqipëria nuk ka ndryshuar aspak qëndrimin e mbajtur prej saj deri tani.//lk

XS
SM
MD
LG