Lidhje

Ekspertët shprehin shqetësim për politikat amerikane të imigracionit


Në Shtetet e Bashkuara disa juristë dhe ekspertë po kërkojnë ndryshime në politikat amerikane të imigracionit. Ata thonë se rregullat e tanishme për imigrantët janë tepër kufizuese dhe i shkurajojnë njerëzit e talentuar nga e gjithë bota të vijnë në Shtetet e Bashkuara për të studiuar, për të dhënë mësim dhe për të punuar. Ekspertët shqetësohen se shumë prej këtyre njerëzve shkojnë në vende të tjera, duke zbehur kështu aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të konkuruar në fusha të ndryshme:

Shtetet e Bashkuara janë një vend i ndërtuar nga imigrantët. Por disa ekspertë shqetësohen se ligjet e rrepta të imigracionit që pas 11 shtatorit të vitit 2001 po e kufizojnë ardhjen e njerëzve të kualifikuar. Michael Greco, President i Shoqatës së Juristëve Amerikane, që është edhe vetë imigrant, thotë se sistemi i tanishëm nuk po i plotëson nevojat e vendit dhe se duhet të reformohet.

" Ligjet dhe qëndrimet tona ndaj imigrantëve kanë qenë, për mendimin tim të paekuilibruara. Nganjëherë ne i kemi hapur me forcë dyert e vendit, pra pa asnjë kufizim; herë të tjera, jemi përpjekur më kot për ndërtimin e mureve-ligjorë dhe atyre fizikë. Ligjet tona sot pasqyrojnë pikërisht këtë konfuzion,- thotë zoti Greco.

Rreth gjysëm milioni studentë të huaj erdhën vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara. Por në një diskutim të zhvilluar kohët e fundit në Washington mbi politikat e imigracionit, u tha se shumë studentëve të tjerë të talentuar nuk u jepen viza për shkak të politikave tepër të rrepta që ndjekin Shtetet e Bashkuara.

Debra Stewart e Këshillit të Studentëve Pasuniversitarë thotë se kërkesat e studentëve të huaj për gradën e masterit dhe doktoraturës në universitetet amerikane kanë rënë ndjeshëm që pas 11 shtatorit të vitit 2001, duke e rrezikuar kështu avantazhin konkurrues të Shteteve të Bashkuara.

"Udhëheqësit politikë amerikanë dhe shkollat pasuniversitare, po e kuptojnë tani se avantazhi kokurrues që Shtetet e Bashkuara kanë patur pas Luftës së Dytë Botërore për të sjellë në Amerikë njerëzit më të talentuar, natyrisht që nuk është një e drejtë e lindur e amerikanëve."-thote ajo.

Ekspertët mendojnë se rënia e përgjithshme e numrit të studentëve të huaj lidhet me një numër faktorësh, mes tyre rritja e kostos së universiteteve, thithja e studentëve nga vende të tjera anglishtfolëse dhe perceptimet që ekziston në shumë vende se tani është më e vështirë për studentët e huaj të vijnë në Shtetet e Bashkuara.

Bill Wulf, president i Akademisë Kombëtare të Inxhinierisë, thotë se gjatë shekullit të kaluar, imigrantët kanë dhënë disa nga kontributet më të rëndësishme në fushat e shkencës dhe inxhinjerisë në Shtetet e Bashkuara.

" Mes viteve 1990 dhe 2004, mbi një e treta e çmimeve Nobel që u janë dhënë amerikanëve ishin për amerikanët e lindur jashtë vendit. Është e qartë se ne kemi mbledhur më të talentuarit e botës dhe kemi lulëzuar në sajë të tyre. Ne kemi nevojë për këta amerikanë të rinj edhe më tepër në kushtet, kur vendet e tjera të botës e kanë avancuar më tej teknologjinë, ndërsa përpiqen të imitojnë modelin amerikan të zhvillimit."- thotë ai.

Ligjet aktuale të imigracionit gjithashtu i pengojnë kompanitë amerikane që përpiqen të sjellin në Shtetet e Bashkuara punonjësit e huaj me aftësi të specializuara. Juristi Daryl Buffestein thotë se duhen shumë muaj, e nganjëherë vite për të marrë një vizë për një punonjës tepër të kualifikuar. Ai thotë se amerikanët dalin me humbje kur u duhet t’i transferojnë vendet e punës jashtë vendit, për arsye se nuk mundet t’i sjellin specialistët në vend.

"Nëse nuk jemi në gjendje të sigurojmë që teknologjia të jetë atje ku është prodhimi, do të na duhet ta çojmë prodhimin atje ku është teknologjia,"- thotë juristi.

Folësit në takim thanë se siguria dhe zhvillimi i vërtetë vijnë nga një ekuilibër për t’i mbajtur larg keqëbërësit nga një anë, dhe në anën tjetër, për t’i mirëpritur ata që i duhen vendit. Me ndryshimet në politikën amerikane të imigracionit, thonë ekspertët, Shtetet e Bashkuara mund t’i arrijnë të dyja këto synime.//lk

XS
SM
MD
LG