Lidhje

Të reja nga fusha e biznesit në botë


Kompania komjuterike Dell e transferon pjesën më të madhe të aktivitetit në Indi

Një nga firmat më të mëdha amerikane të prodhimit të kompjuterave, Kompania Dell, bëri të njohura planet për t’i zgjeruar operacionet e saj në Indi, duke e dyfishuar numrin e punonjësve atje brenda tre vjetësh, në 20 mijë vetë.

Kompania Dell po përpiqet ta pakësojë koston e prodhimit, duke e transferuar aktivitetin prodhues të programeve kompjuterike, projekteve të sistemeve, si dhe funksionet e saj administrative në vende ku pagat e punonjësve janë më të ulëta në krahasim me ato të punonjësve amerikanë. Kjo është një prirje që po përhapet gjithnjë e më shumë, ndërsa punonjësit e vendeve me paga të ulëta po bëhen më të kualifikuar.

Vitin e kaluar, në Indi u diplomuan më tepër se 200 mijë inxhinierë, krahasuar me 70 mijë që u diplomuan në Shtetet e Bashkuara. Deborah Wince-Smith, Presidente e Këshillit të Konkurrencës, një organizatë kombëtare që merret me konkurrencën globale, thotë se India është shembulli i një prirjeje të botës në zhvillim.

"Këto vende po investojnë tek njerëzit, ose po ndërtojnë institute kërkimore të nivelit botëror, si dhe po aftësojnë infrastrukturën e tyre. Me pak fjalë, ato po krijojnë ekosisteme të rinovuara dhe me potencial të lartë."- thotë ajo.

Vendet me paga të ulëta kanë krijuar një fuqi punëtore me kualifikim të lartë dhe ato kanë uri të madhe për punë. Kjo politikë biznesi pritet ta fuqizojë së tepërmi emrin e kompanisë Dell në Indi, ku shitja e kompjuterave parashikohet të rritet në 10 milionë në vit deri në vitin 2010.

Jeni kinez arrin shifrat më larta ndonjëherë

Monedha e Kinës, Jeni, është fuqizuar në nivelin më të lartë që ka patur ndonjëherë përkundrejt dollarit amerikan që nga rivlerësimi i saj në muajin korrik. Ekonomistët citojnë si shkak forcat e tregut dhe dobësimin e dollarit. Ky lajm u bë i njohur ndërsa një delegacion ku merr pjesë Sekretari amerikan i Tregtisë Carlos Gutirrez dhe dy senatorë amerikanë po vizitojnë Pekinin, për të diskutuar mbi marrëdhëniet ekonomike mes të dy vendeve.

Bie çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare

...Dhe së fundi, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka rënë, ndërsa dimrit po i vjen fundi në Evropë dhe në Amerikën Veriore dhe me rënien e kërkesës për ngrohjen e banesave. Analistët e industrisë thonë gjithashtu se në ndryshimin e çmimit kanë ndikuar edhe rezervat e naftës së papërpunuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa konsumatorët i pakësuan blerjet për shkak të çmimeve të larta. Në të njëjtën kohë, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare mbetet në nivel të lartë që prej 7 vjetësh, këtë vit rreth 12 për qind më i lartë se vitin e kaluar, pjesërisht në saje të shqetësimeve politike që kanë të bëjnë me Iranin, Irakun dhe me Nigerinë.//lk

XS
SM
MD
LG