Lidhje

Komisioni Evropian, kërkesë për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Shqipërinë


Komisioni Evropian ka depozituar sot kërkesën pranë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Shqipërinë.

Njoftimi u bë i ditur nga Reinhard Priebe, drejtor në Komisionin për Zgjerimin, dhe njeriu që ka drejtuar bisedimet më Shqipërinë, gjatë takimit që u zhvillua në Bruksel mes Ministrit të Jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj dhe Trojkës Evropiane.

Përfaqësuesë të lartë të Komisionit Evropian u shprehën se ata shpresojnë që firmosja do të mund të bëhet shumë shpejt, ndoshta gjatë pranverës. Kërkesa vjen vetëm pak javë pasi Komisioni Evropian mbylli bisedimet tre vjecare për këtë marrëveshje me Tiranën.

Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, në prani dhe të Presidentit të Komisionit Evropian, Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, sigloi tekstin e Marrëveshjes, së bashku me Ministrin shqiptar të Jashtëm Besnik Mustafaj.

Gjatë mbledhjes së sotme të Ministrit të Jashtëm shqiptar dhe Trojkës Evropiane u diskutuan marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimet e brendshme dhe ato rajonale.

Gjatë bisedimeve nuk janë anashkaluar dhe polemikat e ndezura nga nje deklaratë e Ministrit të Jashtëm shqiptar lidhur me Kosovën. Përfaqësuesit evropianë thanë pas takimit se “janë të kënaqur nga sqarimet e dhëna nga ministri shqiptar”.

Sekretari austriak i Shtetit për Punët e Jashtme, Hans Winkler, vendi i te cilit ka presidencen e radhes së BE-së, tha se “Shqipëria po luan një rol pozitiv dhe konstruktiv në Ballkanin Perëndimor”. Ai shtoi se “Shqipëria është në një pozicion shumë të mirë për të dërguar mesazhe moderimi dhe realizmi për palët e përfshira në bisedime, duke theksuar nevojën për realizmin e standarteve dhe të respektimit të të drejtave të pakicave.

"Ne i kërkuam Shqipërisë të jetë me qëndrimet e veta sa më pranë qëndrimeve të Bashkimit Evropian.”, -theksoi zoti Winkler. Vetë zoti Mustafaj është shprehur se deklarimet e tij janë keqinterpretuar dhe janë përdorur për qëllime të luftës së brendshme politike dhe ato nuk duhet të kenë asnjë pasojë për rajonin.

Zoti Mustafaj ka ripërsëritur qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Grupit të Kontaktit dhe punës së negociatorit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtissari.

Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme në Shqipëri, përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë kërkuar “përmirësimin e klimës politike”, të karakterizuar nga përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës. Pavarësisht përparimeve të bëra, nga Bashkimi Evropian janë identifikuar probleme të shumta.

“Viti 2006 do të jetë një vit ku Shqipëria do të duhet të bëjë akoma përparime të rëndësishme në rrugën e reformave, në vecanti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka nënvizuar zoti Winkler.

Sipas tij, “Shqipëria duhet të krijojë tani një histori suksesi përsa i përket zbatueshmërisë së detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Atabilizim Acocimit. Ne shprehëm kënaqësinë tonë për angazhimin që ka treguar deri tani qeveria e Shqipërisë për reformat e kërkuara. Në të njejtën kohë, - shtoi zoti Winkler, - ne identifikuam edhe çështjet që paraqesin shqetësim si klima e tanishme politike, apo nevoja për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme vendore”.

Shqipëria i nisi bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në janar të vitit 2003. Pas kërkesës së sotme të Komisionit, vendimi për firmosjen do të duhet merret nga Ministrat e Jashtëm të 25 vendeve anëtare të BE-së në unanimitet.

Ky vendim mund të futet ne rendin e ditës në mbledhjen që pritet të mbahet në prill, ose më së shumti në takimin tjetër të planifikuar për muajin maj. Pas nënshkrimit, teksti i marrëveshjes, do të duhet të ratifikohet nga të parlamentet e 25 vendeve anëtare të BE-së. Por ndërkohë, Shqipëria do të nënshkruajë një marrëveshje të ndërmjetme me Komisionin Evropian, e cila bën të hyjnë në fuqi menjëherë aspektet tregtare të marrëveshjes.//lk

XS
SM
MD
LG