Lidhje

Kryeministri i Kosovës, Çeku, takim me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së


Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku u zotua se do të punojë për përmirësimin e trajtimit të pakicës sërbe atje. Ish udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bëri këtë deklaratë sot, pas takimit në Bruksel me shefin e politkës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana. Zoti Çeku u tha gazetarëve se shpreson të garantojë barazinë, lirinë dhe sigurinë për serbët dhe tha se do sinqerisht që ata të qendrojnë në Kosovë. Zoti Solana i mirëpriti këto deklarata, që sipas tij pasuan një kohë të gjatë bisedimesh pa frut. Zoti Çeku tha gjithashtu se Kosova ka shpresa të qarta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, theksoi se në Kosovë është folur shumë për mbrojtjen e pakicave dhe shtoi se tani ka ardhur koha që fjalët të kthehen në vepra.

“Ka rëndësi themelore që kryeministri të tregojë me vepra, jo thjesht me fjalë angazhimin e tij në zbatimin e standarteve. Mbrojtja e pakicave në Kosovë është një prej standarteve kryesore që duhet të plotësojë Kosova tani që ka hyrë në rrugën e përcaktimit të statusit të saj përfundimtar."- tha ai.

Pikërisht këtu e vuri theksin sot edhe Shefi i Politikës së Jashtme evropiane, Solana

"Duhet të vazhdojmë të përqëndrohemi tek çështja e standarteve. Kam folur me kryeministrin gjatë lidhur me standartet, lidhur me çështjen e pakicave."- tha zoti Solana.

Zoti Solana shprehu bindjen se kryeministri i ri është drejtuesi i duhur për Kosovën në këto momente.

Në komentet e tij, zoti Çeku tha se përparësitë kryesore të qeverisë së tij janë integrimi i pakicave si dhe punën për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë, në veçanti atë energjetik. Rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian, theksoi zoti Çeku, është rruga e Kosovës drejt zhvillimit:

"E kam siguruar zotin Solana se në Kosovë nuk kemi objektiv tjetër përveç perspektivës evropiane, që të ndërtojmë një Kosovë evropiane, në përputhje me standartet dhe vlerat e Bashkimit Evropian në mënyrë që sa më shpejt që të jetë e mundur të sigurojmë antarësim në Bashkimin Evropian."- tha ai.

Kryeministri Çeku tha se në takimet e tij ka dhënë garanci se qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e standarteve të parashtruara nga bashkësia ndërkombëtare, pasi një qëndrim i tillë, theksoi ai, është në interes të vetë qytetarëve të Kosovës.

Këto janë takimet e para të zotit Çeku si kryeministër i ri i Kosovës me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Kryeministri e vazhdoi vizitën e tij me takime në komandën e Natos në Bruksel. Objektivi i kësaj vizite, siç u shpreh ai, është objektivi i Kosovës: statusi përfundimtar i saj, integrimi në Evropë dhe integrimi në NATO.//lk

XS
SM
MD
LG