Lidhje

Shëndeti parësor dhe pagesat joformale, sfidat kryesore të sistemit shëndetësor në Shqipëri


Megjithëse projekti i fundit i financuar nga Banka Botërore në Shqipëri quhet Modernizimi i Sistemit Shëndetësor, qëllimi thelbësor i tij është përmirësimi i kujdesit për shëndetin parësor. Eksperti i Bankës Botërore, Dominic Hazeen thotë se projekti, do të përpiqet të gjejë zgjidhje për një numër sfidash, që nga kujdesi shëndetësor parësor e deri tek pagesat joformale.

Pas një numri reformash të fragmentuara dhe disa herë kontradiktore, qeveria shqiptare në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë po punon për të përmirësuar sistemin e shëndetësisë.

Eksperti i Bankës Botërore këtu në Washington, Dominic Haazen thotë se projekti i ri me një vlerë prej 15 presje 4 milion dollarësh është hartuar në përputhje me Strategjinë Kombëtare për të përmirësuar në përgjithësi efektshmërinë e sistemit të shëndetësisë dhe për ta bërë atë më të prekshëm për shtresat e varfëra të popullësisë.

Hendeku midis pamundësisë për të marrë shërbimin e duhur dhe nevojës për të, plotësohet nga pagesat nën dorë që janë një nga problemet madhore të sistemit të tanishëm. "Ka një numër sfidash. Nga ana financiare ka probleme me qëndrueshmërinë fiskale, për gjetjen e financimeve të duhura për të ofruar shërbimet e nevojshme. Problem madhor janë edhe pagesat nën dorë, problem që duhet të zgjidhet pasi i mban të varfërit larg shërbimeve shëndetësore", thotë zoti Hazeen.

Sipas Bankës Botërore cilësia e kujdesit shëndetësor në Shqipëri është më e ulta krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Sistemi i siguracionit shëndetësor që financohet nga qeveria është i kufizuar si nga numri i popullësisë që kontribon në të, ashtu edhe nga shërbimet që ai mbulon. Tani për tani, ky siguracion mbulon vetëm kujdesin për shëndetin parësor dhe ilaçet me recetë. Por zoti Hazeen thotë se shërbimi për shëndetin parësor duhet tu ofrohet të gjithëve, pavarësisht në se janë të siguruar apo jo. "Kemi arritur konsensus me qeverinë që kujdesi për shëndetin parësor si guri themelor i sistemit shëndetësor, t’i jepet gjithë popullësisë pavarësisht në se paguan siguracion shëndetësor apo jo. Kjo do të jetë një nga pikat kryesore që do të financojmë përmes këtij projekti".

Eksperti pranon faktin se në kushtet e një sistemi të dobët shëndetësor, veçanërisht të kujdesit për shëndetin parësor, virusi i gripit të shpendëve mund të ketë pasoja të rënda për vendin. Megjithatë qeveria shqiptare thotë ai ka përgatitur një strategji për të vendosur një sistem vëzhgimi dhe masave për të siguruar që njerëzit të informojnë rastet për shpendët e prekura dhe të kompensohen për humbjet. Projekti i fundit i Bankës Botërore përmban komponentë që do të sjellin aftësimin më të mirë të personelit për të identifikuar rastet e gripit të shpendëve dhe një sistemi më të mirë të informimit, megjithëse mbetet për tu parë se sa shpejt dhe sa i suksesshëm do të jetë zbatimi i tij. Banka Botërore po shqyrton gjithashtu mundësinë e dhënies së një huaje për të ndihmuar në përgatitjet për parandalimin e mundshëm të një epidemie. //rd//

XS
SM
MD
LG