Lidhje

GM planifikon shkurtimin e 30 mijë vendeve të punës


Dega e kompanisë amerikane General Motors i dha sinjale tronditëse industrisë së automobilave pasi njoftoi një marrëveshje me Sindikatën e Bashkuara të Punjonjësve të Automobilave për të shkurtuar më shumë se 30 mijë vende pune. Kompania GM kërkon në këtë mënyrë të ulë koston e fuqisë punëtore duke ofruar stimuj për sindikalistët në përpjekje për të mbijetuar.

General Motors, prodhuesja më e madhe e makinave në botë dhe Delphi, furnizuesi i pjesëve për të, shpresojnë të stimulojnë punonjësit të dalin në pension duke u ofruar një shume prej deri në 140 mijë dollarë.

Daniel Howes, gazetar për Detroit News thotë se gati 126 mijë punonjës kualifikohen për atë që mund të jetë një nga shkurtimet më të mëdha të një korporate me këtë strategji. “Dhjetra mijëra anëtarë të sindikatës, që mbulon punonjësit e kompanive Delphi dhe GM pritet të dalin në pension ose të largohen duke marrë këtë pagesë”, thotë Howes.

Marrëveshja u ofron punonjësve me 30 vjet eksperiencë, pension të plotë dhe kujdes shëndetësor si dhe një pagesë prej 35 mijë dollarësh. Ata me të paktën 10 vjet eksperiencë do të heqin dorë nga të gjitha përfitimet në këmbim të një pagese prej 140 mijë dollarësh. Kjo strategji pritet t’i kushtojë kompanisë rreth 2 miliardë dollarë por analistët thonë se GM do të kursejë para nga pagesat dhe përfitimet e sindikatës që shkojnë deri në 65 dollarë në orë. “Kursimet nga pagesat dhe përfitimet do të shlyejnë koston që në vitin e parë, e jo pastaj në vitin e dytë. Duke filluar nga viti i dytë, korporata del me fitime”, thotë analisti.

GM, e cila njoftoi 10 presje 6 miliardë dollarë humbje për vitin e kaluar, tha se kërkon të shkurtojë 30 mijë vende pune të sindikatës deri në vitin 2008 për të shmangur falimentin. Ristrukturimi, i ndryshuar me urdhër të gjykatës, parashikon mbylljen e 9 fabrikave dhe pakësimin e prodhimit vjetor të GM-it me një milion makina.

Analisti John Challenger thotë se marrëveshja sinjalizon fundin e një epoke për GM-in, i cila dikur punësonte 500 mijë punonjës sindikate. “Marrëveshja është një farë pranimi nga të dyja palët i faktit se gjërat po ndryshojnë dramatikisht në industrinë e automobilave dhe se atyre u duhet të ndryshojnë bashkë me të.” Këto ndryshime po reflektohen në rritjen e shpejtë të prodhuesve të makinave të huaja, të cilat kanë hapur fabrikat e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar, prodhuesja koreane e makinave Kia njoftoi planet për ndërtimin e një fabrike 1 presje 2 miliardë dollarë në West Point të Georgias. Megjithë rënien e shitjes së makinave të kompanive amerikane, punësimi në industrinë e automobilave ka vazhduar të rritet që nga viti 1990. //rd//

XS
SM
MD
LG