Lidhje

Më 28 mars Prishtinës dhe Beogradit i paraqitet dokumenti për decentralizimin


Diplomati që kryeson takimet e Vienës për statusin e Kosovës thotë se bisedimet mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit po përparojnë dhe diskutimet për qeverinë lokale mund të përfundojnë në takimin mes tyre që do të mbahet më 3 prill.

Megjithëse Kosova është zyrtarisht pjesë e Serbisë, ajo ka qënë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1999, kur goditjet ajrore të NATO-s i dëbuan forcat serbe prej andej për shkak të dhunës që ushtronin ndaj shqiptarëve.

Bisedimet që po zhvillohen tani kanë si objektiv të përcaktojnë se kush do ta qeverisë Kosovën pas largimit të forcave të NATO-s. Diplomati që kryeson bisedimet, austriaku, Albert Rohan, thotë se dy raundet e para të bisedimeve mes përfaqësuesve nga Kosova dhe Beogradi, që u zhvilluan më 20 shkurt dhe 17 mars, u përqendruan në çështjen e decentralizimit dhe bashkëpunimit mes komunave në Kosovë.

Shumica e dy milionë banorëve të Kosovës janë shqiptarë, ndërsa pakica serbe përbën vetëm 10 përqind të popullatës. U zhviluan gjithashtu diskutime edhe rreth mënyrave se si Beogrdi do t’u japë ndihmë financiare komuniteteve serbe në Kosovë.

Zoti Rohan tha se ndërsa për disa çështje pati pak mosmarrëveshje, për çështje të tjera mosmarrëveshjet ishin të thella. Ai tha se negociatorët e Kombeve të Bashkaura kanë përgatitur një dokument të hollësishëm për decentralizimin dhe ai do t’ia paraqesë atë palëve në negociata: “Unë do të shkoj vetë në Prishtinë më 28 mars për të shpjeguar sugjerimit që përmban dokumenti. Ndërsa më 3 prill do të takohem me delegacionet dhe do t’i shqyrtojmë një për një çështjet për të cilat palët nuk kanë rënë ende dakord”, tha zoti Rohan.

Në bazë të planit të Kombeve të Bashkuara, të parat po diskutohen çështjet teknike, ndëra çështjet politike dhe statusi përfundimtar i Kosovës janë lënë për më pas. Zoti Rohan tha se pas bisedimeve për vetqeverisjen lokale, negociatorët do të diskutojnë për mbrojtjen e objekteve fetare. “Kjo është disi më e komplikuar. Nga njera anë kemi qeverinë e Prishtinës dhe nga ana tjetër kemi qeverinë e Beogradit. Por natyrisht kemi edhe vetë kishën ortodokse serbe, qendrimi i të cilës duhet të merret parasysh. Prandaj duhet pak më tepër kohë për përgatitjet”.

Disa nga vendet më të shenjta të Kishës Ortodokëse janë në Kosovë. Dy manastire, ai i Deçanit dhe ai i Graçanicës, janë ndërtuar që para 700 vjetësh dhe konsiderohen mes thesareve më të rëndësishëm arkitektonike dhe kulturore të Evropës. Pas diskutimit mbi objektet kulturore, bisedimet do të vazhdojnë me çështje ekonomike.

Pas bisedimeve të 3 prillit mes delegatëve nga Prishtina dhe Beogradi, zoti Rohan tha se gjashtë vendet e grupit të kontaktit, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania dhe Rusia, do të takohen në nivel të lartë në Athinë të Greqisë më 5 prill për të diskutuar se çfarë përparimi është bërë. //rd//

XS
SM
MD
LG