Lidhje

Planet për reforma në OKB kanë zgjuar rezistencë të fortë


Synimet e shpallura kohët e fundit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan për reformimin e operacioneve të kësaj organizate botërore kanë hasur në rezistencë, si nga personeli i saj ashtu edhe nga disa prej vendeve në zhvillim. Planet në fjalë janë në fakt përgjigje ndaj presioneve tashmë të vjetra për reforma të mëdha në këtë organizatë, që shumë ekspertë thonë se janë të domosdoshme.

Karta për krijimin e Kombeve të Bashkuara u nënshkrua nga përfaqësues të 50 vendeve në vitin 1945, kur Lufta e Dytë Botërore ishte në mbarim e sipër. Që nga ajo kohë, OKB-ja është zgjeruar dhe tani përfshin 191 vende të cilët diskutojnë vazhdimisht se si kjo organizatë mund të realizojë më mirë qëllimet e saj kryesore, siç janë ruajtja e paqes dhe e sigurimit në botë.

Për ta bërë OKB-në më efikase, Sekretari i Përgjithshëm Annan ka shpallur plane për një riorganizim madhor të operacioneve të saj: "E thënë hapur dhe me një fjali të vetme, rregullat tona të tanishme në shumë drejtime nuk u përgjigjen nevojave aktuale madje ia bëjnë të vështirë organizatës që ta kryejë punën e saj me efikasitet dhe me rendiment."

Ndryshimet e propozuara parashikojnë ngritjen e një korpusi të lëvizshëm prej 2 mijë e 500 paqeruajtësish profesionistë, thjeshtimin e procedurave të OKB-së siç është procesi buxhetor si dhe investimin e miliona dollarëve në fushën e trajnimeve dhe të teknologjisë.

Kombet e Bashkuara janë marrë vazhdimisht me operacionet paqeruajtëse por ky rol i tyre është rritur mjaft që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Një pjesë e mirë e buxhetit të tyre përdoret tani për misionet paqeruajtëse në vende si Haiti dhe Republika Demokratike e Kongos. Për këtë arësye, thotë Linda Jamison e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, OKB-ja ka nevojë për një forcë të dislokimit të shpejtë. "Kombet e Bashkuara në fakt kanë nevojë për një aftësi të reagimit të shpejtë, që do të thotë komunikim, trupa në terren por edhe vëzhgues dhe ekspertë ushtarakë, pra njerëz të niveleve të ndryshme që t’i raportojnë menjëherë Këshillit të Sigurimit se çfarë po ndodh në një rajon konflikti" thotë analistja.

Duke patur si detyrë kryesore misionet paqeruajtëse dhe ato humanitare, një pjesë e mirë e punës së OKB-së bëhet në terren, larg zyrave të saj në Nju Jork, Gjenevë ose qytete të tjera. Reformat e zotit Anan synojnë përmirësimin e nivelit të personelit në terren duke bërë shkurtime në zyrat kryesore dhe duke u kaluar kompanive private disa prej punëve administrative.

Këto propozime qysh tani kanë hasur në rezistencë tek personeli i OKB-së dhe tek disa vende në zhvillim, sidomos Afrika e Jugut. Këto shtete thonë se reformat po i imponohen OKB-së nga Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për ta përqendruar më tepër pushtetin tek sekretariati dhe për ta ulur ndikimin e vendeve në zhvillim. Një rezistencë e tillë është e paarësyeshme, thotë eksperti i Universitetit të Kolumbias Edward Luck. "Të duash që OKB-ja të administrohet më mirë dhe që operacionet e saj të funksionojnë më mirë, të jenë më të kordinuara dhe më koherente, kjo nuk është thjesht në interes të Shteteve të Bashkuara por në interes të OKB-së dhe të të gjitha vendeve anëtare."

Ambasadori amerikan pranë OKB-së, John Bolton, i ka përshëndetur propozimet dhe ka bërë thirrje që ato të miratohen: "Se cilat janë shanset për një reformë të suksesshme, këtë nuk e di. Por kjo do të jetë një provë për Kombet e Bashkuara, për seriozitetin e qeverive anëtare për të patur një sistem vërtet të efektshëm të OKB-së. Pikërisht këtë po kërkojmë me forcë edhe ne me shpresën se do ta realizojmë me sukses," thotë ambasadori Bolton.

Propozimet për reforma vijnë pas hetimeve të vitit të kaluar lidhur me programin naftë për ushqime për Irakun, nga të cilat doli se korrupsioni i përhapur kishte si arësye pjesërisht kontrollin e dobët nga ana e OKB-së.

Propozimet bëhen gjithashtu në një kohë kur zoti Anan përgatitet të largohet nga posti në fund të këtij viti, gjë që sipas disa analistëve mund ta ulë vrullin e reformave. //ad//

XS
SM
MD
LG