Lidhje

Opinioni ndërkombëtar në mbrojtje të së drejtës së lirisë së besimit për afganin e konvertuar


Agjencia italiane e lajmeve ANSA thotë se Papa Benedikti i kërkoi presidentit afgan Hamid Karzai ta falë shtetasin afgan që mund të ekzekutohet me vdekje, ngaqë që është konvertuar nga mysliman në i krishterë. Sipas ANSA-s, këtë kërkesë Papa e bëri nëpërmjet një letre që i dërgoi zotit Karzai Sekretari i tij i Shtetit, Kardinali Angelo Sodano. Në letrën e tij, Papa bën thirrje për respektim të të drejtave të njeriut të sanksionuara në kushtetutën e re të Afganistanit. Sipas disa njoftimeve nga kryeqyteti afgan, presidenti Karzai mori sot pjesë në takimin e ngutshëm të zyrtarëve të lartë të vendit që u mbajt në Kabul lidhur me këtë çështje.

Abdul Rahmanin e arrestuan javën e kaluar ngaqë u konvertua në i krishterë 15 vjet më parë. Zyrtarët afganë thanë se ai mund të dënohet me vdekje në se nuk pranon që të kthehet prapë në mysliman.

Ky është një rast që ka shkaktuar trysni të jashtëzakonshme ndërkombëtare mbi qeverinë afgane. Ndaj 41 vjeçarit Abdur Rahman po zhvillohet proces gjyqësor dhe ai mund të dënohet me vdekje për faktin se është konvertuar nga mysliman në i krishterë. Rahman nuk përpiqet ta fshehë besimin e tij fetar: "Unë besoj tek Krishtërimi, besoj në shpirtin e shenjtë, pra jam i krishterë."

Por nuk është thjesht feja e tij, është fakti i konvertimit të tij në fenë e krishtetrë, që i zemëron disa myslimanë. Disa klerikë afganë kanë bërë thirrje për dënim të rëndë pasi sipas tyre ky është një krim i pafalshëm kundër fesë islamike, është braktisje e besimit. "Në se duan të zbatojnë Sheriatin, nuk ka nevojë për gjyq. Atij i duhej prerë koka," thotë kleriku MAlavi Abdur Rauf.

Situata e krijuar tërhoqi vëmendjen e udhëheqësve botërorë, shumë prej të cilëve patën ndihmuar për rrëzimin e fondamentalistëve talebanë. "Është tepër shqetësues fakti që një vend të cilin ne e ndihmuam të çlirohet, të mbajë përgjegjës një njeri i cili zgjedh një fe ndaj një tjetre," u shpreh Presidenti Xhorxh Bush.

ërplasja mes ligjit islamik dhe lirisë fetare lidhet me vetë kushtetutën afgane, e cila në një anë respekton lirinë fetare, por në të njëjtën kohë thotë se sheriati është ligji i vendit. "Kushtetuta e tyre i ka të dy elementët dhe nuk i zgjidh kontradiktat që mund të lindin," thotë studjuesi Marwin Weinbaum, i Institutit të Lindjes së Mesme në Uashington.

Dje, klerikët afganë, në lutjet e së premtes folën kundër ndërhyrjes të Perëndimit në këtë çështje. "Ata që duan të ndihmojnë për rindërtimin e Afganistanit, duhet ta kuptojnë se afganët duan diçka tjetër. Kombi afgan është mysliman dhe feja islamike është në gjakun e popullit," tha kleriku Mohamad Ayaz.

Por sido që të zgjidhet çështja e Rahmanit, kontradikta në kushtetutën afgane do të vazhdojë të mbetet dhe mund të shkaktojë më tepër tensione në të ardhmen. Për Presidentin afgan Hamid Karzai, do të jetë një çështje delikate krijimi i një ekuilibri mes kulturës dhe fesë afgane nga njëra anë dhe ideve të vendeve perëndimore që mbështesin demokracinë në Afganistan. //ad//

//ad//

XS
SM
MD
LG