Lidhje

Ukrainë: Janukoviç deklaron fitoren në zgjedhjet parlamentare


Udhëheqësi pro rus i opozitës në Ukrainë, Viktor Janukoviç, deklaroi fitoren në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Anketat e organizuara te qendrat e votimit tregojnë se asnjë parti nuk do të fitojë më shumë se 50 për qind të vendeve parlamentare, gjë që do të thotë se fituesi i numrit më të madh të vendeve ka detyrën e vështirë të formimit të koalicionit qeveritar.

Zoti Janukoviç thotë se Partia e tij e Rajoneve ka korrur një fitore vendimtare pasi sondazhet tregojnë se ajo zuri vendin e parë me të paktën 27 për qind të votave. Ai po fton partitë e tjera të marrin pjesë në një koalicion qeveritar.

Blloku i Partisë Liberale të ish Kryeministres Julja Timoshenko radhitet e dyta me 23 për qind të votave, e pasuar nga Partia Ukraina Jonë e Presidentit Jushçenko me vetëm 14 për qind.

Koalicioni i tij qeveritar u përça vitin e kaluar kur ai shkarkoi zonjën Timoshenko nën akuzat për korrupsion dhe ajo ka përmendur kthimin e saj në atë post si kusht për të marrë pjesë në bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar.

Presidenti Jushçenko ka thënë se do të zhvillojë bisedime me të gjitha partitë në parlamentin e ri, i cili do të emrojë kryeministrin në bazë të kushteturës së re të vendit.

XS
SM
MD
LG