Lidhje

Ministri Bumçi e quan të turpshëm votimin për Gjermenin


Në Shqipëri Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi e cilësoi sot një akt të rëndë dhe të turpshëm votimin e djeshëm të pjesës dërrmuese të anëtarëve të Këshilit të Lartë të Drejtësisë kundër masave ndëshkimore ndaj ish kryetarit të gjykatës së Lushnjes Artan Gjermeni, i zgjedhur aktualisht edhe si anëtar i këtij Këshilli.

Kërkesa për procedim disiplinor ndaj tij ishtë paraqitur nga ministri Bumçi pas kërkesës së Inspektoritit të Pasurisë për ndjekje penale ndaj gjyqtarit Gjermeni për fshehje të pasurisë, por edhe për disa shkelje të konstatuara nga Kontrolli i Ministrisë. Sipas këtij Kontrolli, gjyqtari Gjermeni në dy raste ka liruar dy persona të akuzuar për kultivim dhe trafik lëndësh narkotike.

Reagimi i sotëm i Ministrit të Drejtësisë ishte i pritshëm. Ai vetë kishte formuluar të gjithë kërkesën për masë ndëshkimore ndaj ish kryetarit të gjykatës së Lushnjës Artan Gjermeni, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha kishte bërë më parë një akuzë të rëndë publike ndaj gjyqtarit duke e lidhur atë më bandën famëkeqe të Aldo Bares. Zanafilla e problemeve për gjyqtarin Gjermeni nisi disa javë më parë kur nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Verifikimit të pasurive ai u akuzua për fshehje të pasurisë, pasi të ardhurat e tij dhe familjes së tij ndër vite nuk mbulonin pronat që ai kishte në dispozicion.

Për gjyqtarin i cili në dhjetor ishte zgjedhur si anëtar i Këshiullit të Lartë të Drejtësisë u duk se karriera e tij do të merrte tatëpjetën. Kërkesës së inspektoriatit të Pasurisë për ndjekje penale iu shtuan dhe disa shkelje të konstatuara nga kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë në Gjykatën e Lushnjes. Shkelje që sipas Ministrisë kishin të bënin me lirimin në dy procese të veçanta të dy personave të akuzur për kultivim e trafik lëndësh narkotike, vendime jo të drejta për cështje pasurisë të paluajtshme apo dhe procese në të cilat dokumentacioni ishte noterizuar nga bashkëshortja e gjyqtarit.

Por dje në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjyqtari Gjermeni, paraqiti një shkresë të prokurorisë së Kavajës e cila e clironte nga akuza e fshehjes së pasurisë. Shkresë e cila ishte firmosur vetëm 24 përpara mbledhjes së KLD. Ishte ky dokument tek i cili u mbështetën 7 anëtarë të Këshillit për të mos ndëshkuar zotin Gjermeni. Një votim të cilin sot Ministri i Drejtësisë e cilësoi një akt të rëndë dhe të turpshëm: "Eshtë një akt i rëndë, ajo që ndodhi dje është e turpshme. KLD nuk mban përgjegjësi si një e tërë, përgjegjësitë janë individuale, të gjitha anëtarët kanë të drejtë vote. Të gjithë mbajnë përgjegjësi për votën që hedhin. Çfarë mesazhi i japim ne qytetarëve të tjerë që ju mund të kultivoni bimë narkotike sepse do liroheni, çfarë mesazhi i japim gjyqatrëve të tjerë që në KLD kemi një gjyqtar i cili ka liruar nga burgu dikë që ka kultivuar bimë narkotike, atëherë dhe gjyqtarët e tjerë mund të bëjnë të njejtën gjë".

Sipas Ministrit të Drejtësisë gjyqtari Gjermeni duhet të kishte marrë minimumi një masë disiplinore: "Ne mendojmë, duke parë mospërputhjen në deklaratën e pasurisë e cila mendojmë se nuk është në masën 1.5 milion, duke parë rastet që kishin të bënin me kultivimin e lëndëve narkotike ky gjyqtar duhej të ishte shkarkuar ose të paktën minumu të ishte marë një masë tjetër disiplinore, por edhe kjo nuk është gjykuar e arsyeshme nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë", tha zoti Bumçi.

Tashmë historia e gjyqtarit Gjermeni duket praktikisht e mbyllur. Ministria e Drejtësisë do të verifikojë megjithatë vendimin e marrë nga prokurori i Kavajës lidhur me pasurinë e tij, por zoti Gjermeni, që prej mbrëmjes së djeshme është anëtari më i ri i Këshillit të lartë të Drejtësisë, me të gjitha të drejtat që i jep ky post, përfshirë dhe imunitetin e tij. //rd//

XS
SM
MD
LG