Lidhje

Albert Rohan hedh poshtë çdo mundësi për ndarjen e tërësisë tokësore të Kosovës


Zëvendës krye-negociatori ndërkombëtarë për statusin e Kosovës, Albert Rohan, tha sot në Prishtinë se procesi i decentralizimit synon të krijojë kushte që pjesëtarët e komunitetit serb të qëndrojnë dhe jetojnë në Kosovë, ndërsa hodhi, çdo mundësi për ndarjen e tërësisë tokësore të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në fund të vizitës së tij treditëshe gjatë së cilës është debatuar për një dokument që përfshinë parimet dhe qasjen ndaj procesit të decentralizimit të pushtetit që do të jetë bazë për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ai shpjegoi se komunave të reja që do të krijohen nëpërmjet këtij procesi do t’u jepen përgjegjësi maksimale që të kenë mundësi të kryejnë punët e tyre gjithnjë në kuadër të kufijve të sistemit juridik të Kosovës.

Ai tha se në pajtim me kartën evropiane për pushtetin lokal do të lejohet vendosja e partneritetit ndërmjet komunave ku ato mund të bashkëpunojnë në çështje konkrete si arsimi, shëndetësia, kultura si dhe mund të krijojnë asociacione të komunave dhe të shtrijnë bashkëpunimin e tyre edhe me komuna jashtë Kosovës: “Ne e kemi bërë të qartë në parimet tona se kjo nuk nënkupton dhe nuk mund të nënkuptojë krijimin e ndonjë entiteti të veçantë që do të dilte jashtë strukturave normale institucionale e juridike të Kosovës. Ne do t’i kundërvihemi çdo ndarjeje të brendshme të saj” tha zoti Rohan.

Tërë dokumenti sipas tij mbështetet në këto parime dhe këto çështje do të debatohen në takimin e radhës në përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje. Pas kësaj do të debatohet për kufijtë e komunave, numrin e komunave të reja me shumicë serbe apo grupeve të tjera etnike. Parim udhëheqës do të jetë synimi që komunat të jenë funksionale dhe të qëndrueshme. Krahas kësaj do të debatohet edhe mbrojtja e trashëgimisë fetare e kulturore për të mundësuar mbijetesën e tempujve fetar. Por kjo nuk nënkupton territore, tha zoti Rohan.

Pjesa tjetër e negociatave ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, çështjet ekonomike dhe prania ndërkombëtare pas zgjidhjes së statusit politik. Zoti Rohan tha se gjatë takimit me kryetarët e komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe, u është thënë atyre se qëllim i procesit të decentralizimit është krijimi i mundësive për serbët që të mbeten në Kosovë pas statusit apo të kthehen dhe të jetojnë një jetë normale. “Kur kryetarët e komunave më thanë se nuk mund të jetojnë në Kosovën e pavarur nëse ky do të jetë përfundimi i procesit të statusit, u thashë se ky është vendimi juaj. Ne nuk mund t’u detyrojmë të qëndroni dhe nuk mund ta detyrojmë askënd që të kthehet”, tha zoti Rohan. Ajo çfarë mund të bëhet është të krijohen kushtet në të cilat objektivisht mund të pritet që serbët të mbeten dhe të kthehen.

Zoti Rohan tha se shumë aspekte te jetës mund të zgjidhen me konceptin e decentralizimit. Institucionet arsimore apo spitalet mund të drejtohen nga komunat apo asociacioni i tyre. Transferimi i parave nga Beogradi për komunat me shumicë serbe është i mundur, por duhet të jetë transparent dhe duhet të kalojë nëpër sistemin ligjor të Kosovës, tha ai duke nënvizuar se në këtë kuadër edhe Mitrovica, qytet i ndarë në dy pjesë do të jetë si të gjitha komunat e tjera në Kosovë.

Tash për tash këto çështje të përfshira në dokumentin e zotit Rohan nuk janë komentuar nga përfaqësuesit e Prishtinës zyrtare, të cilët në takimin e 17 marsit kanë kundërshtuar lidhjet ndërmjet komunave si dhe përfshirjen e Beogradit në financimin e drejtpërdrejtë të tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG