Lidhje

Çështjet strategjike të mbetura pa zgjidhje në Ballkan


Muajt që vijnë, thonë shumë vëzhgues, mund të sjellin një zgjidhje paqësore të çështjeve të mbetura strategjike të rajonit në Ballkanin perëndimor, përfshirë krijimin e dy shteteve të reja, Kosova dhe Mali i Zi, si dhe reformimin kushtetues të Bosnjë Hercegovinës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jela de Franceschi, i hedh një vështrim atyre që mund të sjellë ky vit për këtë rajon të shkatërruar nga luftrat.

2006-a është quajtur si vit vendimtar për shtetet e federatës ish jugosllave të cilat u ndanë pas disa luftrave të dhunshme ndër-etnike gjatë viteve 1990. Çështjet kanë të bëjnë me kufijt dhe problemet e shtetit në një rajon që ende po përpiqet të tejkalojë një trashëgimi përçarëse.

Çarls Kupçan është drejtor i Studimeve Evropiane në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë në Uashington. "Pyetja për diplomatët sot është se çfarë mund të bëhet për të siguruar që ky të jetë raundi i fundit i gjakderdhjes në Ballkan? Çfarë mund të bëhet për të krijuar një ekuilibër të qendrueshëm mes shteteve të cilat ende kanë dyshime dhe armiqësi ndaj njeri tjetrit dhe për të bërë që integrimi politik dhe ekonomik të funksionojë?"

Sipas shumicës së vëshguesve, çështja kryesore është zgjidhja e statusit të Kosovës, temë mosmarrëveshjesh të hidhura mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe.

Vitin e kaluar, Kosova u rikthye në programin diplomatik ndërkombëtar. Në nëntor, Marti Ahtisari, i dërguari i OKB-së, bëri një vizitë në rajon për t’u hapur rrugën bisedimeve mes shqiptarëve dhe serbëve për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Profesori Çarls Kupçan, i cili jep mësim edhe në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington, thotë se ekziston një koncensus diplomatik se Kosovës duhet t’i jepet pavarësia: “Në fund ndoshta do të duhet një vendim i paluhatshëm nga komuniteti ndërkombëtar për ta zgjidhur këtë. Por, unë mendoj se është realiste të mendojmë se nëse ekipi negociator i drejtuar nga Marti Ahtisari e sheh se dy palët, Prishtina dhe Beogradi, nuk arrijnë të bien dakord, atëherë ai duhet të ushtrojë trysni që ata të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit", thotë ai.

Profesori Kupçan nuk beson se Serbia do të lëshojë pe, por ai thotë se komuniteti ndërkombëtar mund të fitojë bashkëpunimin e saj duke i falur borxhin dhe përshpejtuar bisedimet për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

James Dobbins, drejtor i qendrës për sigurinë ndërkombëtare dhe politikën e mbrojtjes pranë korporatës Rand, thotë se shqiptarët e Kosovës duhet t’i japin pak pushtet pakicës serbe dhe të pranojnë një pavarësi të kushtëzuar: “Kjo do të përbëhej nga disa marrëveshje që do të përmbanin garancitë për pakicat dhe mbikqyrjen e vazhdueshme ndërkombëtare për të siguruar që ato garanci përmbushen. Kjo do ta bënte Kosovën të dukej pak a shumë si Bosnja, e cila ka qenë shtet i pavarur dhe sovran, por ka pasur një administrator ndërkombëtar dhe disa kufizime në fushën e veprimit".

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, Bosnja ka qenë e ndarë në dy njësi administrative etnike të mbajtura bashkë nga një qeveri e dobët qendrore dhe tre presidentë. Trupat e NATOs u zëvendësuan nga një forcë më e vogël e Bashkimit Evropian dhe zyrtari më i lartë ndërkombëtar i vendit është Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian.

Administrata ndërkombëtare e ka ndihmuar Bosnjën të forcojë rolin e qeverisë qendrore dhe të nxitë integrimin më të shpejtë. Një arritje e rëndësishme u realizua vitin e kaluar me formimin e një force policore kombëtare shumë-etnike.

Analisti Dobbins thotë se që atëherë, krerët myslimanë, kroatë dhe serbë kanë rënë dakord të eliminojnë sistemin e tre presidentëve dhe të forcojnë qeverinë qendrore. Shumë vëzhgues thonë se krerët kombëtarë të Bosnjës e kuptojnë se vetëm një qeveri e efektshme mund të sigurojë anëtarësimin e vendit në BE.

Edhe ambasadori amerikan, Donald Hays, thotë se votuesit po ushtrojnë trysni ndaj udhëheqësve të tyre. Në maj, Mali i Zi do të votojë nëse do të ndahet apo jo nga Serbia. Dy republikat mbetën bashkë gjatë koflikteve dhe në shkurt 2003 formuan një bashkim që do të zgjaste tre vjet, pas së cilit dy republikat mund të mbanin referendum për ndarje. Kur ndërmjetësoi këtë marrëveshje, BE-ja ngurroi të caktonte kufij të ri në rajon, por Brukseli pranon tani se kjo marrëveshje nuk ishte funksionale.

Shumica e vëzhguesve parashikojnë se 650 banorët e Malit të Zi do të votojnë për pavarësi. Ata thonë se ky rezultat, së bashku me sovranitetin e Kosovës, do të shënojnë shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë së Luftës së Ftohtë dhe fillimin e ri-integrimit të rajonit me pjesën tjetër të Evropës, duke u bazuar në parimet e demokracisë liberale dhe tregut të lirë kapitalist. //rd//

XS
SM
MD
LG