Lidhje

Vjenë: Raundi i tretë i bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit


Në Vjenë filloi sot raundi i tretë i bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës. Zëvendës kryeministri i Kosovës Lutfi Haziri i tha sot agjencisë Rojter se të dyja palët janë ende shumë larg një marrëveshjeje.

Autoritetet në Beograd kërkojnë krijimin e një entiteti serb në Kosovë me lidhje të posaçëme me Serbinë. Shqiptarët e kundërshtojnë këtë propozim duke thënë se ajo do të çonte në ndarjen e Kosovës. Javën e kaluar ndërmjetësi ndërkombëtar Albert Rohan ishte në rajon për t'u paraqitur palëve platformën e decentralizimit të pushtetit.

Ndërkaq, zyrtarë të policisë në Kosovë thanë se kanë arrestuar një person që dyshohet se është autor i tri shpërthimeve në korrik të vitit të kaluar në Prishtinë.

Më 2 korrik të vitit 2005 tri shpërthime tronditën kryqytetin duke shkaktuar vetëm dëme materiale.. Një shpërthim ndodhi para selisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara, një tjetër para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe i treti para selisë së Misionit të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunim në Evropë.

Policia tha se sot në orën 5 e 30 të mëngjesit ka arrestuar një 38 vjecar në lidhje me këto shpërthime, por pa bërë të ditur identitetin e as motivet që mund të kenë nxitur vënien e mjeteve shpërthyese para institucioneve. Autoritetet thanë se arrestimi ishte rezultat i bashkëpunimit të afërt ndërmjet policisë së Kombeve të Bashkuara, Shërbimit Policor të Kosovë dhe departamentit të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG