Lidhje

Ngjela kritikon Partinë Demokratike për prirje autoritare


Partia Demokratike vendosi sot të shkarkojë nga posti Kryetarin e Komisionit të Ligjeve në parlament, deputetin Spartak Ngjela si dhe të pezullojë anëtarësimin e tij në parti. Kjo masë pason daljen në publik të një debati të tensionuar që zoti Ngjela pati të hënën me kryeministrin Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Partia vendosi t’u shkarkojë nga të gjitha funksionet. Cili është reagimi juaj i parë?

Spartak Ngjela: Eh... janë... problemet kanë humbur ekuilibrin. Ato janë çështje debati. Kanë gënjyer dje nëpër të gjithë gazetat, Kryeministri ka marrë kryeredaktorin e Shekullit dhe e ka disinformuar për bisedën, megjithatë unë heshta. Sot shtypi ka nxjerrë bisedën. Biseda është normale, bisedë politike, e ngritur në një sistem inkuizicional me një grup njerëzish të cilët nuk ishin, me përjashtim të kryetarit të grupit parlamentar, zotit Topi e deri diku edhe të kryetares së kuvendit, gjithë të tjerët nuk di sepse ishin thirrur në një bisedë, që kishte të bënte midis meje dhe kryeministrit. Unë i dhashë pikëpamjet e mija qartë, saktë dhe asgjë tjetër. Gjithë të tjerat pastaj janë dis-ekuilibrim. Duhet të kemi parasysh një gjë dhe të jemi të saktë; raporti me të vërtetën në Shqipëri është ende larg dhe kjo nuk është për fajin tim. Unë kam raport shumë të drejtë me të vërtetën.

Zëri i Amerikës: Zoti Ngjela, ju akuzoheni për përgjimin e bisedës me Kryeministrin në zyrën e Kryetares së parlamentit...

Spartak Ngjela: Po lere, ku kam unë aparate përgjimi të kontrollojë komisionin. Unë nuk disponoj aparate dore....

Zëri i Amerikës: Pra ju e mohoni që keni përgjuar bisedën?

Spartak Ngjela: Unë nuk përgjoj bisedë, unë po të duash skenografoj bisedën dhe e botoj, unë kam memorje, të gjitha i kam, nuk kam pse të përgjoj bisedën. Në qoftë se do të kisha nevojë e kisha marrë me diktofon. S’merrem me këto. Jam shumë i qetë se bisedat janë të hapura, s’ka bisedë sekrete. Biseda sekrete ka qënë midis gjashtë njerëzve. Të gjitha ato janë mungesë ekuilibri, rikthehen ekuilibrat, sqarohen ato dhe disekuilibrimi pastaj është në disfavor të atij që e ka pësuar e jo të atij që mbron të drejtën.

Zëri i Amerikës: Zoti Ngjela, marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin dhe me Partinë Demokratike kanë ndryshuar disi menjëherë pas fitores së zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re. Ka kritikë që ju akuzojnë se ju u bëtë një lloj opozitari brenda vetë Partisë Demokratike për faktin se nuk u përfshitë në qeveri. Si ju përgjigjeni ju këtyre akuzave?

Spartak Ngjela: Po natyrisht, kjo nuk është gjë e vogël. Habitem që mund të bëhet një pyetje e tillë edhe nga Zëri i Amerikës. Kjo nuk është gjë e vogël. Nuk është vetëm kaq. Ajo që kam akuzuar unë dje, në bisedën time, është pikërisht fakti, që me një komunist, 40 vjeçar komunist, enverist, me partinë agrare, me zotin Xhuveli, kundërshtar prej 15 vjetësh i lëvizjes demokratike në Shqipëri dhe kundërshtar imi personalisht prej 30 vjetësh, dhe ta sjellësh në qeveri, sepse ka katër vota për të disekuilibruar karrierën politike të elitës politike të partisë tënde, është gjëja më e urryer, më e papranueshme dhe më amorale në këtë lloj politike. Këtë mund ta gjesh në Afrikë, në diktaturat afrikane, në çdo vend, por kurrë në një vend parlamentarist. Atëhere si ka mundësi të pranohet një gjë e tillë? Kjo është ajo e cila ai thotë më ka përgjuar apo s’më ka përgjuar. Kjo ka qënë akuza ime që ja kam bërë. Ja bëj hapur kudo që të jetë dhe kudo të shkojë. Kjo është ajo që do ta rëndojë, kjo është ajo e cila në fund të fundit e nxjerrë përfundimisht jashtë politikës si arrivist. Unë nuk mund të pranojë prishjen e karrierës 30 vjeçare dhe luftën time politike, duke më marrë në pushtet kundërshtarin.

Zëri i Amerikës: Zoti Ngjela, cili do të jetë hapi juaj i ardhshëm?

Spartak Ngjela: Hapi im, hapin tim e kam të sigurtë. E kam filluar përpara 30 vjetësh dhe janë këto tre principe të cilat nuk i shkel; kushtetuetshmëria, parlamentarizmi, ekonomia e tregut dhe zgjedhjet e lira. //rd//

XS
SM
MD
LG