Lidhje

Berisha: Qeveria do të ulë çmimin e energjisë për firmat private


Në Shqipëri, Kryeministri Sali Berisha tha se qeveria po studion mundësinë e uljes së çmimit të energjisë elektrike për firmat private. Ai tha sot në Tiranë se është pa kuptim që kompanitë ta paguajnë energjinë me dyfishin e çmimit që paguajnë familjet. Zoti Berisha theksoi se qeveria po i merr këto masa për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.

Qeveria shqiptare bëri të ditur se ka vendosur të ulë çmimin e energjisë elektrike për kompanitë private në përpjekje për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve. Sipas përfaqësuesve më të lartë qeveritarë, diferencën nga kjo ulje e çmimeve do ta përballojë vetë qeveria.

Projektin e publikoi kryeministri Sali Berisha në një takim me përfaqësues të qarqeve të biznesit, ku theksoi se taksat dhe faturat e firmave shqiptare nuk ka arësye që të jenë më të lartat në rajon.

“Nuk mund të paguani ju energji më shumë se të gjithë të tjerët në rajon. Qeveria merr përsipër një ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë për ju. Ju garantoj se ky do të jetë vetëm fillimi. Barrën e kësaj uljeje do ta përballojë tërësisht qeveria. Nuk mund të ndodhë që të paguajë biznesi dyfishin e çmimit që paguajnë qytetarët. Ndodh vetëm këtu ku shteti u bë sinonim i arbitraritetit,” tha zoti Berisha.

Ai tha se qeveria do t’i ulë në minimum ndërhyrjet mbi bizneset duke siguruar liri më të madhe veprimi dhe investimesh për to.

Po ashtu ai tha se po përgatitet një lehtësim i mëtejshëm i procedurave administrative në regjistrimin e bizneseve apo në marrjen e lejeve për bizneset e reja.

Falë lehtësirave kompjuterike, pritet që të zbresë nga 47 në vetëm një ditë kohëzgjatja e hapjes së një biznesi të ri në Shqipëri.

Kryeministri Berisha siguroi se po arrihet mbledhja më e mirë e taksave sipas kërkesë së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në fund të qershorit, qeveria dhe shumica parlamentare do të fillojnë uljen e taksave për bizneset – një nga premtimet kryesore të zgjedhjeve të korrikut 2005.

“Me ekspertët dhe drejtuesit e ministrisë së financave po shqyrtojmë paketën fiskale. Ato që ju premtuam para zgjedhjeve do t’i mbajmë një për një.”

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë që të mos fillonte procedurat për ulje taksash dhe investime ambicioze të premtuara përpara se në 6 muajt e parë të vitit të shihej mbarëvajtja e mbledhjes së të ardhurave.//ii

XS
SM
MD
LG