Lidhje

SHBA dhe BE pezullojnë ndihmat për qeverinë e re palestineze të kryesuar nga Hamasi


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian pezulluan zyrtarisht ndihmat për qeverinë e re palestineze të kryesuar nga grupi Hamas.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shan Makormek, tha dje se kjo masë bllokon më shumë se 500 milionë dollarë ndihma për kabinetin dhe ministritë e qeverisë palestineze.

Mirëpo, ai theksoi se Uashingtoni do të rritë në masën 57 për qind ndihmën humanitare për shëndetësi, arsim dhe ushqim, duke arritur në gjithsej 245 milionë dollarë.

Në Bruksel, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ema Uduin, tha se blloku ka pezulluar përkohësisht ndihmën e drejtpërdrejtë për shkak se Hamasi nuk pranon të heqë dorë nga dhuna dhe as të njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Ajo tha se ky vendim nuk do të prekë ndihmën humanitare që u dërgohet organizatava jofitimprurse dhe agjencive të ndihmave të OKB-së.

Vendimet e Uashingtonit dhe të Brukselit u kritikuan në territoret palestineze. Presidenti Mahmud Abas, i cili kryeson lëvizjen Fatah që njeh Izraelin, tha se populli palestinez nuk duhet ndëshkuar për shprehjen në mënyrë demokratike të vullnetit të tij në kutinë e votimit.

XS
SM
MD
LG