Lidhje

Dy analistë amerikanë komentojnë për bisedimet Prishtinë-Beograd


Analistë të çështjeve ballkanike kanë mendime të ndryshme për ecurinë e deritanishme të negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës. Disa thonë se palët kanë qendrime pa kompromis, ndërsa të tjerë mendojnë se ky është vetëm fillimi dhe nuk ka arsye për panik. Megjithatë është pozitiv fakti se të dy palët pranojnë të bisedojnë me njera-tjetrën.

Raundi i tretë i bisedimeve të Vienës mes shqiptarëve dhe serbëve që u mbajt më 3 prill nuk arriti të përfundonte me një marrëveshje për sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë. Qëllimi i bisedimeve është që të dy palët të arrijnë marrëveshje për sistemin e qeverisjes lokale, gjykatat dhe forcat e policisë.

Serbët veçanërisht kërkojnë garanci për mbrojtjen e komunitetit të tyre dhe të kenë edhe ata kompetenca në drejtimin e Kosovës. Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në bisedime, diplomati austriak, Albert Rohan, tha pas bisedimeve se shqiparët kërkojnë një qeveri pak a shumë “etnikisht neutrale”, të një forme të zbatueshme për të gjitha komunat. Delegacioni serb, tha ai, kërkon autonomi më të madhe për komunat me shumicë serbe. Serbët kërkojnë gjithashtu edhe “lidhje institucionale” me Beogradin.

Disa analistë janë të diziluzionuar nga mungesa e rezultateve në bisedimet e Vienës, por të tjerë si Daniel Serwer i Institutit amerikan të Paqes, thonë se bisedimet do të jenë të vështira, por nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar tani për tani.

“Këto janë negociata që do të zgjatin një farë kohe. Unë nuk jam i diziluzionuar. Mua më duket se palët në bisedime po trajtojnë çështje jetësore, si çështja e sovranitetit, nëse Kosova do të jetë sovrane dhe mbi çfarë teritori do ta ushtrojë këtë sovranitet dhe se si do të qeverisen serbët e Kosovës, nga Prishtina apo nga Beogradi”.

Profesor Steven Meyer i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes thotë se serbet janë në disavantazh në këto negociata, me apo pa dëshirën e tyre ata kanë hyrë në bisdime për decentralizimin që në fakt çojnë drejt pavarësisë së Kosovës. Profesor Meyer thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk ka krijuar hapësirën e nevojshme, që të dy palët të shqyrtojmë më shumë alternativa në zgjidhjen e çështjeve që kanë përpara.

“Në fakt komuniteti ndërkombëtar po bëhet pengesë që shqiptarët dhe serbët të ulen e të diskutojnë çështjet me interes të përbashkët dhe të gjejnë pikat e afrimit. Ndarja e Kosovës është jashtë diskutimit, gjë që nuk është e drejtë. Për mendimin tim, në qoftë se komuniteti ndërkombëtar do të ishte më elastik dhe një ndërmjetës më i ndershëm mes të dy palëve, do të ishte bërë një përparim më i madh. Beogradi dhe Prishtina do të gjenin më shumë pika bashkëpunimi”.

Por Daniel Serwer i Institutit amerikan të Paqes, nuk është i këtij mendimi dhe thotë se komuniteti ndërkombëtar ka interesat e tij në këtë proces.

“Për mendimin tim, Komuniteti Ndërkombëtar po vepron si një ndërmjetës i ndershëm, por jo krejtësisht i paanshëm. Komuniteti ndërkombëtar ka interesat e veta. Një nga këto interesa është parandalimi i ndarjes në baza etnike, që shumë kanë frikë se do të krijonte destabilitet në pjesën jugore të Serbisë,në Maqedoni, por edhe në Bosnje, prandaj dhe ka vendosur të mos e konsiderojë ndarjen e Kosovës si një alternativë të mundëshme.”

Profesor Meyer mbështet tezën që po bëhet gjithnjë e më e përgjithëshme në qarqet që ndjekin nga afër procesin për statusin përfundimtar të Kosovës, se në qoftë se bisedimet e Vjenës nuk japin rezultat, komuniteti ndërkombëtar do t’ua imponojë palëve zgjidhjen.

“Kjo është një mundësi shumë reale. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Uashingtoni duan të ecin përpara. Në qoftë se nuk arrihet marrëveshje, në qoftë se njëra palë largohet nga bisedimet, është plotësisht e mundshme që zgjidhja të detyrohet dhe një gjë e tillë do ta destabilizonte rajonin”.

Profesor Meyer thotë se të dy palët duhet të marrin pjesë në proces e të gjejnë pika kompromisi, dhe më tej të ecin përpara për të vendosur marrëdhënie kryesisht ekonomike. Stephen Meyer thotë se në rast të një zgjidhjeje të imponuar, është pothuajse e sigurt që ajo do të jetë një pavarësi që ekskludon copëtimin e territorit të Kosovës.

Ndërsa Daniel Serwer thotë se në kushtet e tanishme është me shumë rëndësi që sërbët të kuptojnë se ato që ata kërkojnë nga shqiptarët në Kosovë, shqiptarët në pjesën jugore të Serbisë mund t’i kërkojnë nga serbët. Ai thekson nga ana tjetër se shqiptarët e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht çështjen e trajtimit të pakicave dhe të japin garanci sigurie për to.//ii

XS
SM
MD
LG