Lidhje

Presidenti Bush përballë akuzave të reja politike


Ish shefi i personelit të nënpresidentit Dick Cheney, Lewis Scooter Libby, pretendon se Presidenti Bush ishte ai që autorizoi nxjerrjen e informatave të agjencive të zbulimit mbi Irakun. T’i hedhim një vështrim këtij zhvillimi në Uashington dhe ndikimit të tij të mundshëm mbi administratën e Presidentit Bush:

Në bazë të dokumentave të gjykatës që u bënë këto ditë publike, Presidenti Bush ka autorizuar personalisht nxjerrjen e dokumentave sekrete mbi programin irakian të armëve, për t’iu kundërvënë kritikëve të ndërhyrjes në Irak.

Dokumentat u paraqitën nga prokurori që po heton lidhur me incidentin e nxjerrjes së identitetit të një agjenteje të CIA-s në vitin 2003. Në këto dokumente përfshihet dëshmia që dha para jurisë së madhe Lewis Scooter Libby, ish-shefi i personelit të nënpresidentit Dick Cheney. Zoti Libby dëshmoi se nënpresidenti Cheney i kishte thënë që Presidenti Bush kishte autorizuar nxjerrjen e informatave të zbulimit lidhur me programin irakian të armëve, pra bërjen publike të dokumentave sekrete. Lewis Libby duhej t’ia përcillte këtë informacion gazetarëve.

Shtëpia e Bardhë nuk i ka mohuar këto pretendime, por zëdhënësi Scott McClellan u tha dje gazetarëve se nxjerrja e informatave ishte e justifikueshme: "Ishte në interes të publikut që ky informacion të bëhej i ditur, pasi në atë kohë ishte hapur një debat lidhur me interpretimin e informatave të zbulimit para vendimit për të ndërhyrë në Irak," tha zëdhënësi McClellan.

Presidenti Bush është shprehur me vendosmëri kundër atyre që nxjerrin sekrete qeveritare: "Nëse dikush nga administrata ime nxjerr sekrete, dua ta di kush është ky person. Nëse ai ka shkelur ligjin, do të marrim masa kundër tij."

Ekspertët thonë se meqë informatat në këtë rast nuk ishin më sekrete, nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit. Por ata shtojnë se ky është një problem i madh politik për Presidentin Bush. Me sa duket, Presidenti miratoi nxjerrjen e informatave si manovër politike, pasi në atë kohë ambasadori Joe Wilson kishte botuar një artikull në gazetën New York Times, në të cilën shkruante se Iraku nuk ishte përpjekur për të siguruar lëndë për prodhimin e armëve bërthamore, temë për të cilën ai ishte dërguar në Afrikë për të kryer hetime.

Thomas Mann është analist pranë Institutit Brookings në Uashington: "Në atë kohë, Presidenti e dënoi nxjerrjen e informatave sekrete dhe premtoi të gjejë atë individ në administratën e tij dhe ta shkarkonte atë. Dhe nëse tani provohet se ai ka miratuar përdorimin e disa informatave sekrete, i hapet rruga akuzimit të tij për shfrytëzim posti për interesa politike. Kjo përbën një problem të madh politik për të," thotë analisti.

Përveç nxjerrjes së informatave sekrete, u nxorr edhe identiteti i agjentes së CIA-s Valerie Plame, bashkëshortja e ambasadorit Joe Wilson. Njoftimi se nxjerrja e këtyre informatave mund ta ketë zanafillën tek Presidenti Bush, bëhet në një kohë kur mbështetja e tij publike ka rënë në nivelin më të ulët. Ky fakt mund të ndikojë edhe në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres, siç thekson analisti John Fortier i organizatës studimore American Enterprize në Uashington: "Kjo mund ta dëmtojë Presidentin edhe më shumë, por gjithsesi ai nuk gëzon mbështetje të madhe, veçanërisht si rezultat i Irakut. Edhe kjo çështje lidhet me Irakun dhe do ta dëmtojë më tej. Ndërkaq, republikanët kanë përpara zgjedhjet në Kongres dhe ka mundësi që të humbin vende e biles të humbin kontrollin e një pjese të Kongresit."

Analisti Fortier thotë se kjo është një çështje më e nxehtë se probleme të tjera me të cilat është ndeshur Presidenti, pasi nëse vërtetohen këto pretendime, del që ai është më i preokupuar me përshtypjen që ka publiku për politikat e tij, sesa me objektivin për të mbrojtur Amerikën. Deri tani, tha ai, Presidenti Bush ka qenë në gjendje të paraqesë një imazh të mirë kur është fjala për mbrojtjen e Amerikës. //ad//

XS
SM
MD
LG