Lidhje

Në Tiranë byroja e parlamentit diskuton largimin e deputetit Ngjela nga kreu i komisionit të ligjeve


Parlamenti pritet të shqyrtojë në fillim të javës një propozim të Partisë Demokratike në pushtet për zëvendësimin e kryetarit të komisonit parlamentar të ligjeve, Spartak Ngjela me një deputet tjetër. Byroja e parlamentit do të diskutojë të hënën në mëngjes kërkesën e grupit parlamentar të PD për zëvensësimin e zotit Ngjela në krye të komisionit të ligjeve me deputetin Fatos Beja, aktualisht edhe nënkryetar i parlamentit.

Kryesia e PD vendosi të premten në mbrëmje largimin e deputetit Ngjela nga drejtimi i komisionit parlamentar të ligjeve si dhe nga detyra partiake e sekretarit të marrëdhënieve publike. Vendimet e kryesisë do t'i përcillen Këshillit Kombëtar të partisë pas dy javësh, ku ato pritet të formalizohen si edhe vendime të mëparshme.

Kryesia e PD ka diskutuar edhe mundësinë e përjashtimit të deputetit Ngjela nga grupi i saj parlamentar, dhe shndërrimin e tij në një deputet të pavarur. Konflikti midis kryetarit parlamentar të ligjeve mori një përfundim të papritur pas publikimit në media të një bisede të incizuar shumë të tensionuar mes tyre.

Zoti Ngjela u dha shkas më parë konflikteve brenda partisë me kundërshtimet mbi një projektligj për bllokimin trevjecar të mjeteve lundruese, si edhe duke i kulmuar mospajtimet me debatet mbi projektligjin për legalizimin e vendbanimeve të periferive.

Analistë të shtypit vendas kanë vërejtur se mospëlqimet e deputetit Ngjela ndaj reformave të udhëhequra nga qeveria "Berisha" kanë ardhur kryesisht prej pakënaqësive të tij lidhur me ndarjen e posteve ministrore ndërmjet aleatëve dhe prej lënies së tij jashtë kabinetit qeveritar.

Vetë deputeti Ngjela nuk i ka hedhur poshtë komentet e shtypit rreth ambicjeve për të qenë anëtar i qeverisë, por ndërkohë është përpjekur të argumentojë se lëvizja e tij politike synon demokratizimin e mëtejshëm të jetës së brendshme të PD.

Ndërsa vëzhgues të tjerë të jetës politike në vend përpiqen të gjejnë ngjashmëri mes largimit nga PD të zotit Ngjela dhe politikanëve të tjerë në periudha të mëparshme, për maxhorancën e PD dhe aleatëve të saj shtohen që nga e hëna pikëpyetje të tjera mbi raportet e votave të deputetëve në parlament, të cilat sa vijnë e bëhen më të brishta, sidomos kur vijnë për diskutim ligje të rëndësishme së afërmi, reforma zgjedhore, mbajtja në këmbë e qeverisë "Berisha", apo më vonë zgjedhja e një presidenti të ri. //ad//

XS
SM
MD
LG