Lidhje

Ambasadori Uisner shpreh mbështetjen amerikane ndaj zotit Ahtisari në negociatat për statusin e Kosovës


Ambasadori Frank Uisner, i dërguari amerikan për statusin e Kosovës bisedoi sot në Prishtinë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës lidhur me procesin e bisedimeve për statusin. Ambasadori Uisner tha pas këtij takimi se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të luajtur një rol të fuqishëm në mbështetje të zotit Ahtisari, në arritjen e negocimit të një statusi përfundimtar të Kosovës. Një nga përfaqësuesit serbë, Oliver Ivanoviç tha pas takimit se procesi i bisedimeve duhet të shkojë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Uisner, u takua sot edhe me përfaqësuesit e pakicës serbe në Kosovë. Ambasadori Uisner theksoi pas takimit se kishte ardhur për të biseduar me miqtë evropianë në Bruksel, për t’u siguruar që amerikanët dhe evropianët janë të afërt dhe për të gjitha kontributet që duhet të jepen për t’i bërë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, një sukses.

"Ne jemi të vendosur për të luajtur një rol të fuqishëm amerikan në mbështetje të presidentit Ahtisari në arritjen e negociimit të një statusi përfundimtar, dhe për ta arritur këtë, këtë vit, në vitin 2006. Jam këtu për ta shprehur këtë pikëpamje, këtë vendosmëri të Shteteve të Bashkuara", - tha ai.

Një nga përfaqësuesit serbë, Oliver Ivanoviç, tha se procesi i bisedimeve duhet të shkojë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

“Ky është takimi i dytë me zotin Uinser. Nuk ka elemente të reja përveç që qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe Grupit të Kontaktit është se procesi i bisedimeve duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente. Presim që pas takimit të dytë, të kemi një situatë më të qartë lidhur me decentralizimin, por ne kemi kërkuar që Grupi i Kontaktit të na japë garanci për sigurinë, sepse shumë serbë, duke mos ditur rezultatin e bisedimeve, mund të vendosin që të largohen. Kjo do të ishte katastrofë”, tha ai.

I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Uisner, do të qëndrojë edhe nesër në Kosovë për të vazhduar më pas vizitën e tij në Beograd, ku do të takohet me zyrtarët e lartë serbë.//lk

XS
SM
MD
LG