Lidhje

Shqipëri: Komisioni i Ligjeve shqyrton çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku


Komisioni i ligjeve u mblodh të mërkurën me dyer të mbyllura për të marrë në shqyrtim atë që tashmë quhet Çështja Sollaku. Anëtarët e këtij komisioni, deputetë të të dy krahëve, kanë debatuar mbi ecurinë dhe hapat që duhet të ndiqej për këtë çështje.

Socialistët kanë kërkuar që të mos nxitohet dhe t’i lihet kohë, atyre por dhe prokurorit të Përgjithshëm, për t’u njohur me akuzat. Ligjërisht komisioni ka 2 javë kohë për t’u marrë me kërkesën për hapjen e procedurave për shkarkimin e zotit Sollaku, kërkesë e cila është paraqitur nga 28 deputetët të shumicës.

Të djathtët duket se janë të prirur që çështja t’i kalojë një komisioni hetimor. Ngjyrat e forta politika që kanë veshur këtë përplasje e cila po shihet më tepër si një përplasje mes qeverisë dhe kryeprokurorit duket se kanë frenuar shumicën që të mos e kalojë thjesht me një votim në parlament duke u mbështetur vetëm në akuzat e formuluara prej anëtarëve të saj, por t’ja nënshtrojë çëshjen gjykimit të një komisioni hetimor.

Pavarësisht skepticizmit të vetë prokurorit të Përgjithshëm, por dhe të opozitës për një vendim të paragjykuar e të paracaktuar nga ana e shumicës, ngritja e një komisioni, sido që të jetë, do të linte më shumë kohë në dispozicion dhe do të krijonte më shumë hapësira për një verifikim më të hollësishëm të të gjitha akuzave.

Ditën e premte Kryeprokurori është ftuar në komisionin e ligjeve që të japë shpjegimet e tij. Komisioni më pas do të hartojë një raport ku pritet t’i kërkojë parlamentit ngritjen e komisionit hetimor. Opozita ende nuk ka vendosur nëse do të pranojë të marrë pjesë apo jo. Përfaqësuesit e saj vazhdojnë të akuzojnë kryeministrin për një sulm ndaj institucioneve të pavarura.

Sot kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta u shpreh se pozicioni i kryeministrit është kompromntuar që nga momenti që ai nuk tha të vërtetën lidhur me pjesmarrjen e bashkëshortes së zotit Sollaku në procesin për vrasjen e shoferit të tij.

“Ky fakt dëshmoi se kryeministri mashtroi rëndë”, tha zoti Meta sipas të cilit “vendi ka hyrë në një kaos institucional ku shteti sulmon shtetin”.

XS
SM
MD
LG