Lidhje

Rusia hedh poshtë thirrjen amerikane kundër ndërtimit të një impianti bërthamor në Iran


Ministria e Jashtme ruse hodhi poshtë një thirrje të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar ndërtimin e një uzine të energjisë bërthamore në Iran.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mihail Kaminin, tha të enjten se çdo vend ka të drejtën të vendosë se në ç’mënyrë dhe me cilin vend bashkëpunon.

Zoti Kaminin i bëri këto komente në përgjigje të një thirrjeje që bëri të mërkurën nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns që vende të ndryshme të botës t’i japin fund të gjithë bashkëpunimit në fushën bërthamore me Iranin.

Gjatë vizitës së tij në Moskë për bisedime mbi Iranin, nënsekretari Bërns tha se qeverisë së Teheranit duhet t’i mohohet çdo teknologji që mund të ndihmojë programin e saj bërthamor, përfshirë edhe uzinën që po ndërton Rusia.

Shefi i agjencisë ruse të energjisë atomike Sergei Kirijenko mbrojti projektin Busher dhe tha se puna në uzinën prej 800 milion dollarësh është në përputhje të plotë me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. //az//

XS
SM
MD
LG