Lidhje

Shqipëri: Të majtët të bashkuar për zgjedhjet vendore pa LSI-në


Në Shqipëri katër parti të majta nënshkruan sot mes tyre një marrëveshje për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme vendore. Në tekstin e firmosur nga Partia socialiste, Partia Socialdemokrate, Aleanca demokratike dhe Demokracia Sociale, mungonte Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kjo parti ka kërkuar që marrëveshja të diskutohej paraprakishte për të caktuar të gjithë elementët e bashkëpunimit përfshirë edhe ndarjen e komunave dhe bashkive. Opozita e majtë synon të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet për pushtetin vendor si dhe të bojkotojë zgjedhjen e presidentit të ri vitin e ardhshëm.

Pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh, inateve dhe xhelozirave të vjetra u duk se opozita arriti të krijonte një bazë për një bashkëpunim të saj duke kapërcyer ndarjet. Por sërish problemet në gjirin e saj nuk janë shuar.

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mori sot pjesë në nënshkrimin e një marëveshjeje të përbashkët mes pesë forcave që përbëjnë të majtën në parlament. Marrëveshja synon kryesisht që të gjitha partitë e opozitës të dalin bashkë në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, të bllokojnë zgjedhjen e presidentit të ri në vitin 2007 me synim për të provokuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryetari socialist Edi Rama tha se shumica e shqiptarëve që nuk kanë votuar kryeministrin Berisha kërkon bashkimin pasi sipas tij Shqipëria është në rrezik për shkak të një gjendjeje grushti shteti permanent të krijuar nga raportete e kryeministrit me institucionet kushtetuese. Edhe kryetari i socialdemokratëve Skënder Gjinushi u shpreh se me marrëveshjen e sotme e majta korrigjon një gabim të së shkuarës dhe se është momenti që të frenohet sipas tij revanshi i së djathtës dhe politikat e saj antikushtetuese.

Por partia e Ilir Metës nuk iu bashkua kësaj nisme të propozuar nga socialistët. Përfaqësues të saj shpjegojnë se më parë teksti i marrëveshjes duhej të ishte diskutuar pasi kjo parti kishte bërë disa propozime për të cilat ata nuk kishin marrë asnjë përgjigje.

Lëvizja Socialiste për Integrim kishte kërkuar ndërmjet të tjerave që të përcaktohej që tani edhe një ndarje e bashkive dhe komunave që do t’i liheshin secilës prej partive. Pro kryetari socialist Edi Rama u shpreh se harta elektorale nuk mund të trajtohej si një byrek që duhej copëzuar në pjesë: "Harta e Shqipërisë nuk është një byrek që duhet ndarë ku secili do të marrë pjesën e do të largohet në drejtimin e tij por është një përgjegjësi absolute në funksion të një vizioni të ri qeverisës, edhe ndarja e përgjegjësive mes nesh do të bëhet në këtë funksion", tha zoti Rama.

Megjithatë Lëvizja socialiste për Integrimi pret të vazhdojë diskutimet me socialistët si forca kryesore e së majtës, ndërsa aleatët e tjerë kërkojnë që të mos ketë një marrëveshje të vecantës PS-LSI. Akti i sotëm është hapi i parë i bashkëpunimit mes të majtës e cila jo vetëm që humbi zgjedhjet e 3 korrikut por dhe doli tërësisht e coroditur dhe e përcarë prej tyre. Afrimi mes këtyre partive u përshpejtua nga kriza që mbërtheu parlamentin për mënyrën e votimit, pas mocionit ndaj kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Ishte ky moment që uli për herë të parë në një tryezë të 5 partitë e majta. //rd//

XS
SM
MD
LG