Lidhje

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët në kishat dhe manastiret e Kosovës


Besimtarët ortodoksë kanë kremtuar pashkët edhe në kishat e manastiret e Kosovës, kremtime këto që po kalojnë në shenjë të thirrjeve për paqe e tolerance ndërmjet komuniteteve.

Një grup i pjesëtarëve të komunitetit serb nga veriu i qytetit të ndarë të Mitrovicës ka vizituar kishën ortodokse në pjesën jugore të këtij qyteti që banohet me shumicë shqiptare dhe vizita ka kaluar në qetësi.

Autoritetet më të larta ndërkombëtare dhe vendase krahas përgëzimeve janë zotuar për krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu së bashku me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen dhe komandantin e KFOR-it Giuseppe Valotto ka vizituar manastirin e Deçanit në Kosovën perëndimore. Ai me këtë rast u ka premtuar përfaqësuesve të kishës ortodokse serbe se manastiri i Deçanit dhe tempujt tjerë fetar do të ruhen dhe mbrohen si pjesë e pasurisë së përgjithshme të Kosovës.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen Petersen ka thënë ndërkaq se pashkët janë periudhë e porosive të rëndësishme të rilindjes dhe zemërgjerësisë. “Mendoj se është mirë që jemi mbledhur së bashku pavarësisht përkatësive kombëtare e fetare për të treguar përkushtimin për të punuar për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë zoti Jessen – Petersen duke nënvizuar se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të punojnë së bashku në këtë periudhë të zhvillimeve me rëndësi thelbësore për të ardhmen e tyre.

Autoritetet kanë vendosur që një hapësirë prej 800 hektarësh përreth këtij manastiri të shpallet zonë e mbrojtur, një vendim ky që ka nxitur shqetësime posaçërisht tek banorët që kanë prona në të pjesë të Kosovës. Autoritetet thonë se krijimi i kësaj zone të posaçme nuk cënon interesat e qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq, peshkopi Teodosije, udhëheqës i këtij manastiri thotë se objektet fetare nuk mund të ruhen pa ndihmën e të gjithëve dhe sipas tij vizita e sotme presidentit Sejdiu tregon gatishmërinë për një ndihmë të tillë. “Dora e tyre është shtrirë dhe ne e pranojmë atë dhe mendojmë se së bashku do t’ia dalim në tërë atë që është e mire” , thotë ai, dukë nënvizuar se dyert e manastirit janë të hapura për njerëz të vullnetit të mirë që sjellin porosi të paqes. Por, dyert e kishës ortodokse nuk ishin sot të hapura për të gjithë.

Peshkopi i kishës ortodokse serbe Artemie ka refuzuar kërkesën e kryeministrit Agim Çeku për të marrë pjesë në liturgjinë e Pashkëve ortodoks në manastirin e Graçanicës. Ai në përgjigjen e tij ndaj kërkesës së kryeministrit Çekut ka theksuar se rezidenca e tij në Prizren, është djegur gjatë trazirave të marsit të vitit 2OO4 bashkë me shumë tempuj të tjerë dhe për këtë arsye nuk mund të pranojë kryeministrin Ceku deri sa të kthehet në rezidencën e rindërtuar. //rd//

XS
SM
MD
LG