Lidhje

Riatdhesimi i imigrantëve të paligjshëm-  një proces i gjatë dhe i kushtueshëm


Çështja e imigracionit vazhdon të ngjallë debate të shumta në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që kjo nuk është një çështje, që mund të zgjidhet lehtë. Përveç faktit që Shtetet e Bashkuara duhet të marrin masa që imigrantë të paligjshëm të mos hyjnë në vend, një problem tjetër është kundërshtimi apo zvarritja e procesit të riatdhesimit të shtetasve nga vendet e origjinës, vende këto që nuk janë të paktë. Por këto vonesa mund të jenë mjaft të kushtueshme për Shtetet e Bashkuara.

Shumë njerëz vënë në rrezik çdo gjë për t’u futur në Shtetet e Bashkuara. Dëshpërimi i tyre i detyron të marrin parasysh shumë rreziqe: disa imigrantë kinezë u kapën kohët e fundit në një kontenier mallrash në Portin e Seattl-it. Mike Milne punon për Shërbimin e Doganave dhe të Mbrojtjes së Kufirit: "Kjo tregon përmasat e sakrificave që bëjnë njerëzit për të ardhur dhe për t’u futur në Shtetet e Bashkuara."

Ata vijnë nga të gjitha anët e botës: Amerika Latine, Azia Lindore, Afrika, Lindja e Mesme – të gjithë me shpresën për një jetë më të mirë. Mbi 1 milion imigrantë të paligjshëm, pjesa më e madhe nga Meksika, kapen dhe kthehen në vendin e tyre çdo vit. Por mijëra të tjerë janë në një status të papërcaktuar – ata janë ndaluar nga autoritetet amerikane, por vendet e tyre u mohojnë riatdhesimin.

"Shumë qeveri në botë ndjekin politikën e kundërshtimit kur një vend i industrializuar përpiqet të riatdhesojë disa nga shtetasit e e tyre, të cilët janë futur në territorin e tij në mënyrë të paligjshme," thotë zoti Demetri Papademetriou, Presidenti i Institutit për Politikat e Migracionit, një organizatë që studjon lëvizjet e personave në botë. Ai thotë se këto vende nuk pranojnë riatdhesimin e shtetasve të tyre, pasi duan diçka në shkëmbim: "Zakonisht ata duan si shkëmbim shtimin e numrit të vizave për shtetasit e tyre, në mënyrë që një pjesë e këtij trafiku të bëhet e ligjshme."

Kina ka qenë një ndër vendet në qendër të vëmendjes së administratës amerikane, pasi aktualisht në Shtetet e Bashkuara ka rreth 39 mijë imigrantë të paligjshëm kinezë. Afro 700 mbahen në qendra paraburgimi. Secili prej tyre i kushton qeverisë federale 95 dollarë në ditë, për këtë arsye çdo vonesë në procesin e riatdhesimit është shumë e kushtueshme.

John Torres është Drejtor i Programit të Ndalimit dhe Largimit pranë Zyrës për Imigracionin dhe Doganat: "Nëse një person mbahet këtu 10 ditë, na kushton rreth 1 mijë dollarë. Në disa raste nuk arrijmë ta kthejmë dikë edhe për 6 muaj," thotë zoti Torres.

Shtetet e Bashkuara po shënojnë përparim në arritjen e marrëveshjeve për riatdhesimin e shtetasve me një numër vendesh. Megjithatë ekspertët thonë se po rritet lista e vendeve që kundërshtojnë riatdhesimin e shtetasve të tyre. Numri i kufizuar i qendrave të paraburgimit në Shtetet e Bashkuara i ka lënë autoritetet amerikane në një dilemë pa zgjidhje - të vazhdojnë të përballojnë shpenzimet e mbajtjes në paraburgim të këtyre personave ose t’i lejojnë ata të futen si individë të lirë në popullatën amerikane. //ad//

XS
SM
MD
LG