Lidhje

Terapi eksperimentale për trajtimin e Alcajmerit; Big Bangu apo Shpërthimi kozmik


Terapi eksperimentale për trajtimin e Alcajmerit

Shkencëtarët thonë se rezultatet e provës së parë të terapisë gjenetike për trajtimin e alcajmerit duken mjaft premtuese, ndërsa pacientët që morrën pjesë vullnetarisht në këtë trajtim eksperimental thanë se terapia e ngadalësoi dukshëm përparimin e sëmundjes. Mjekët thonë se alcajmeri nuk mund të kurohet, prandaj e vetmja mënyrë për shmangjen e kësaj sëmundjeje është vonimi i shfaqjes së saj, pra parandalimi i përkohëshëm. Ilaçet ekzistuese mund ta parandalojnë alcajmerin deri në shkallën 5 përqind për një periudhë 6 muajshe, prandaj kuptohet shpresa e madhe e mjekëve dhe pacientëve ndaj terapisë gjenetike e cila ka treguar se mund ta vonojë shfajen e alcajmerit deri në shkallën 49 përqind dhe për një periudhë deri në dy vjet.

Lola Krosuajt vuan nga Alcajmeri. Ajo thotë se terapia eksperimentale gjenetike e vonoi përparimin e sëmundjes për dy vjet. Por tani ajo ka filluar të humbasë prapë kujtesën, shenjë se alcajmeri po përparon.

Lola thotë se megjithëse e dinte se ajo e kishte këtë sëmundje, gjatë terapisë e ndjeu veten shumë mirë kujtesa iu kthye dhe çdo gjë i dukej normale. Tani ajo e ndjen që po bëhet keq përsëri.

Në vitin 2002, Lola Krosuajt ishte një nga 8 pacientët që dolën vullnetar për t’iu nënshtruar operacionit në tru për të provuar terapinë e parë gjenetike kundër alcajmerit. Eksperimenti u kryesua nga doktor Mark Tushinski i universitetit të Kalifornisë në San Diego, i cili u dha pacientëve një gjen që prodhon një substancë që ndihmon rritjen e nervit. Në provat me minj në laborator kjo substancë ka treguar se i mbron qelizat nervore nga shkat[rrimi. Në studimin e botuar në revistën Natural Medicine thuhet se gjeni dha rezultate dhe për dy vjet ngadalësoi përparimin e sëmundjes mesatarisht 49 përqind.

Doktor Kushinski thotë se ilaçet ekzistuese që përdoren sot mund ta parandalojnë përparimin e alcajmerit deri 5 përqind për të paktën 3 deri 6 muaj. Ndërsa terapia gjenetike e ngadalëson këtë proces 49 përqind për një periudhë deri në dy vjet. Dallimi është mjaft i dukshëm. Doktor Kushinski thotë se në provën tjetër, që shkencëtarët dhe pacientët kanë filluar në qëndrën mjekësore të Universitetit të Çikagos, përdoret një metodë tjetër e përparuar për injektimin e gjenit, çka do të bëjë që terapia të ketë efekt për një kohë më të gjatë. Doktor Kushinski është i vetëdijshëm se alcajmeri nuk mund të kurohet, megjithatë ai shpreson ta vonojë shfaqjen e kësaj sëmundjeje për një periudhë kohe të mjaftueshme që personat e moshuar të mos ndeshen me pasojat e rënda të alcajmerit.

Big Bangu apo Shpërthimi kozmik

Shkencëtarët astronomë thonë se kanë në dorë të pamjet e para që vërtetojnë teorinë e ngritur 25 vjet më pare sipas së cilës, menjëherë pas shpërthimit të madh kozmik, apo Big Bangut, universi u rrit me një shpejtësi të jashtëzakonëshme nga madhësia e një pike në përmasën që ekziston sot. Sipas shkencës, në fillim ndodhi shpërthimi dhe mbarë gjithësia lindi nga një pike e vetme. Kjo ndodhi 13 miliardë vjet më pare. Por çfarë ndodhi menjëherë pas shpërthimit? Kjo është pyetja rreth së cilës shkencëtarët kanë vite që debatojnë. Tani një sondë robot në hapësirë ka regjistruar gjurmët e nxehtësisë së çliruar nga shpërthimi i madh. Rezultati është një hartë e çuditëshme, një pamje e universit në fillimin e tij.

Profesor Çarls Benet, pranë universitetit Xhons Hopkins, thotë se “kur shikojmë këtë pamje ne shohim momentin e fillimit të gjithësisë. Kur mendojmë për rritjen, kemi parasysh një rritje shkallë shkallë, ashtu si fazat e jetës së një njeriu. Përsa i përket gjithësisë, rritja ishte e menjëherëshme dhe pastaj vazhdimisht në rritje apo zgjerim”.

Profesor David Spergel i universitetit Princton thotë se në trilionin e parë të sekondës, universi kaloi një periudhë rritjeje të jashtëzakonëshme me një shpejtësi më të madhe sesa shpejtësia e dritës.

Profesor Spergel ishte anëtar i grupit të shkencëtarëve që kreu kërkime në këtë fushë. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe zgjerimi të shpejtë, universi u rrit nga madhësia e një pike në përmasën që ekziston sot.

Shkencëtarët e quajnë këtë “teori inflacioni”, një ide e hedhur 25 vjet më pare. Këto pamje janë të dhënat e para nga hapësira që mbështesin këtë teori. Shkencëtarët thonë se ky është një moment i rendësishëm për të kuptuar kozmosin. Ata thonë se pas shpërthimit të madh, u deshëm 400 milionë vjet për formimin e yllit të pare dhe 13 miliardë vjet të tjerë që sistemi ynë diellor të merrte formën që ka sot. Shkencëtarët mendojnë se universi do të vazhdojë të zgjerohet pa pushim e përgjithmonë. Megjithëse teoria e Big Bangut është teoria mbizotëruese shkencore mbi origjinën e universit. Por disa shkencëtarë që e vënë në dyshim këtë teori thonë se në univers egzistojnë objekte të krijuara më pare se 13-14 miliardë vjet, kur mendohet se ndodhi shpërthimi kozmik, teori që ndoshta nuk mund të vërtetohet kurrë, duke lënë kështu një numër pyetjesh pa përgjigje.

XS
SM
MD
LG