Lidhje

Masat e qeverisë amerikane pas rritjes së çmimit të naftës


Rritja e çmimeve të karburantit është shndërruar në një çështje të rëndësishme politike në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bush ka ofruar disa zgjidhje të përkohshme, si dhe ka parashtruar strategjinë afat-gjatë. Në vazhdim i hedhim një vështrim masave që po merr qeveria dhe ndihmës që po jep sektori privat.

Presidenti Bush parashtroi planin e tij në fjalën që mbajti në Shoqatën e Burimeve Energjetike të Rigjenerueshme, një shoqatë që mbron idenë e gjetjes së burimeve alternative. Presidenti theksoi se mbështetja në naftën e importuar është një problem i madh: "Kjo varësi nga nafta e huaj përbën shqetësim për sigurimin kombëtar. Aktualisht ne përmbushim 60 për qind të nevojave për naftë nga vende të tjera. Disa nga këto vende janë të paqëndrueshme, ose ndodhen në rajone të trazuara gjë që shkakton rritjen e çmimeve", tha Presidenti.

Në përpjekje për të ngadalësuar rritjen e mëtejshme të çmimeve, Presidenti Bush ka pezulluar disa masa ambjentaliste në mënyrë që të rritet sasia e naftës në treg. Po për këtë qëllim, ai po pezullon gjithashtu procesin e depozitimit të sasive të naftës në rezervat strategjike. Presidenti ritheksoi rëndësinë që kanë përpjekjet për teknologji që shfrytëzon burime të tjera energjie: "Konkretisht, strategjia afat-gjatë për të ushqyer mjetet lëvizëse është zëvendësimi i naftës me një burim tjetër energjie". Presidenti Bush rekomandoi etanolin dhe biodizelin si burime alternative.

Kompania Green Eyes Auto Sales në Portland të Oregonit, shet automjete që ushqehen me biodizel. Pronarët thonë se me rritjen e çmimeve të karburantit, rritet edhe shitja e makinave. Biodizel është një lëndë që prodhohet nga vaji, si për shembull vaji i sojës apo vaji vegjetal dhe përdoret në makina që punojnë me naftë. Clark Tippin punon për kompaninë Green Eyes Auto Sales: "Pjesa më e madhe e gazit që nxjerr skapamenti shpërbëhet me lehtësi dhe është më natyrale", thotë ai. Në shtetin Indiana po ndërtohet uzina më e madhe në botë për prodhimin e biodizelit, e cila ka si lëndë të parë prodhimet bujqësore të shtetit, shpjegon guvernatori Mitch Daniels: "Strategjia jonë për zhvillim ekonomik ka një numër drejtimesh. Një prej tyre është agrobiznesi, dhe në thelb të strategjisë së agrobiznesit janë lëndët djegëse të rigjenerueshme".

Përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve vazhdojnë, dhe po ashtu vazhdojnë hetimet për të identifikuar kompani që mund të kenë nxjerrë fitime të paligjshme përmes abuzimit me çmimet e naftës. Presidenti Bush thotë se një numër agjencish janë angazhuar në hetime për të zbuluar nëse ka pasur manipulim çmimesh. //rd//

XS
SM
MD
LG