Lidhje

Stanjacioni ekonomik në Kosovë-burim destabiliteti dhe pengesë zhvillimi për mbarë rajonin


Megjithë kapitalin njerëzor dhe pasuritë e shumta natyrore, Kosova ka përjetuar gjatë viteve të fundit disa prej ritmeve më të ulëta të rritjes ekonomike në rajon. Doktori i Shkencave Ekonomike Muhamet Mustafa thekson se përparësia kryesore është të krijohen kushtet e përshtatshme për zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe tërheqja e investimeve të huaja për ndërtimin e infrastrukturës moderne. Në një diskutim të organizuar nga Uashington nga Qendra për Biznesin Ndërkombëtar, zoti Mustafa foli edhe për përparësitë kryesore ekonomike në diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

Dr. Mustafa thekson se pas një periudhe 3 vjeçare zhvillimi, Kosova është tani një stanjacion ekonomik. Kosova, shpjegon ai po përjeton shokun që kalon çdo vend kur ndërpritet apo kufizohet ndihma ekonomike ndërkombëtare. Kjo gjendje është gjithashtu rezultat i periudhës së de-industrializimit dhe de-investimit që filloi në Kosovë që në fund të viteve ’80. "Sfida kryesore ekonomike është të gjenerohet një rritje ekonomike, e cila mungon viteve të fundit".

Zhvillimi ekonomik, thekson zoti Mustafa, është penguar nga një numër faktorësh, shumë prej të cilave e kanë burimin në statusin e papërcaktuar dhe në punën e dobët qeverisëse të UNMIK-ut: "Së pari konsiderojmë si pengesë kryesore për biznesin në Kosovë qeverisjen e dobët, që pasqyrohet në problemet e shtetit ligjor, konkurencën e padrejtë dhe një nivel të lartë korrupsioni. Një tjetër sfidë është tërheqja e investimeve të fuqishme që janë të domosdoshme për një vend që duhet të krijojë vende të reja pune."

Sektori i biznesit të vogël dhe të mesëm, asrgumenton ekonomisti, është lokomotiva e rritjes ekonomike në Kosovë dhe ka siguruar çdo rritje ekonomike të deritanishme. Për këtë arsye, ai veçon si përparësi kryesore krijimin e kushteve për funksionimin e lirë të këtij sektori. Një tjetër objektiv, thekson Dr. Mustafa, është arsimimi dhe kualifikimi i 63 për qind të popullsisë që është nën moshën 30 vjeç, si dhe ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës publike, gjë që nuk mund të realizohet, thekson ai pa një zgjidhje të statusit përfundimtar: "Me zgjidhjen e statusit është e rëndësishme të vendosen marrëdhënie të plota me institucionet financiare, të cilat janë të nevojshme për ndërtimin e infrastrukturës publike."

Në procesin përgatitor për negociatat e statusit përfundimtar, kanë dalë në pah një numër divergjencash ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës lidhur me pronën publike dhe procesin e privatizimit të pasurive. Borxhi i Kosovës, i cili në vitet ’80 llogaritej në rreth 900 milion dollarë, është një tregues i frymës politike që ka ndërhyrë edhe në çështjet ekonomike: "Meqë ne mendojmë se pronësia e kapitalit i takon Kosovës, mendojmë se edhe pronësia mbi borxhet i takon Kosovës. Serbia ka paguar një pjesë të vogël të këtij borxhi dhe po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë fakt si argument për pretendimet që ka paraqitur ndaj kapitalit dhe pronave."

Pala shqiptare, thotë zoti Mustafa, u përmbahet parimeve që janë ndjekur ndjekur edhe në marrëveshjet e republikave të tjera ish-Jugosllave, në diskutimet mbi pronësinë. Ka ardhur koha, thekson eksperti i ekonomisë, që Kosova të dalë nga tutela ndërkombëtare e cila, në vend të krijimit të sinergjisë, ka krijuar konflikte.

Zoti Mustafa kryeson aktualisht një grup prej 30 ekspertësh të cilët po zhvillojnë studimet përkatëse dhe po përgatisim një numër raportesh ekonomike që do të paraqiten në procesin e negociatave për statusin përfundimtar. //ad//

XS
SM
MD
LG