Lidhje

Rajerson: Shqipërisë nuk i interesojnë bojkotimet e jetës parlamentare


Ambasadori i parë amerikan në Tiranë, William Ryerson, thotë se Shqipërisë nuk i interesojnë bojkotimet e jetës parlamentare, nëse ajo shpreson të pranohet një ditë në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, diplomati në pension i vlerëson përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin dhe korrupsionin, po thotë se rruga përpara nuk do të jetë e lehtë.

William Ryerson, i cili banon rreth 100 kilometra larg Uashingtonit, është një njeri që e do Shqipërinë, siç deshmon edhe flamuri kuq e zi që ai mban përherë në derë, krahas flamurit amerikan. Brenda shtëpisë herë-herë ke përshtypjen se je në Shqipëri, ku zoti Ryerson kaloi disa nga vitet më interesante të karrierës së tij. Ai nuk është i sigurt se çfarë krahasimi duhet të përdorë për të shpjeguar dashurinë që ndjen për shqiptarët.

"Kjo është njëlloj sikur të shpjegosh se përse të pëlqejnë çokollatat. Duke qenë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara, unë u bëra objektivi i dashurisë në rritje që shqiptarët kishin për Amerikën, dashuri e cila ishte në përpjestim të zhdrejtë me propagandën anti-amerikane që kishte bërë deri atëhere regjimi komunist".

Zoti Ryerson ishte ambasador në Shqipëri në një kohë të vështirë, kur vendi përpiqej të dilte nga një periudhë e errët për të hyrë në familjen e vendeve demokratike. Janë disa gjëra që kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e tij, por sidomos njëra prej tyre nuk do të harrohet kurrë: vizita e sekretarit amerikan të shtetit Xhejms Bejker në Shqipëri në qershor të vitit 1991.

"Ajo ishte çliruese për vendin dhe solli një ndryshim. Mesazhi i zotit Baker ishte: bashkohuni për të hequr qafe komunizmin. Nuk ishte një vizitë për të sjellë 6 milion dollarë në Shqipëri", kujton ambasadori.

Zoti Bejker erdhi për t’u treguar shqiptarëve se liria jep fryte. Që nga ajo kohë kanë rrjedhur 15 vjet dhe Shqipëria ka kaluar nëpër shumë ulje-ngritje politike dhe shoqërore. Zoti Ryerson thotë se ekonomia e tregut të lirë ka shënuar suksese, por vendi nuk arriti t’i shpëtojë dot korrupsionit.

"Kur korrupsioni ka qenë aq i përhapur e sidomos me privatizimet mjaft të dyshimta, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e tjera ish komuniste, u bë shumë e vështirë për të dalë prej tij. Gjithnjë pyetja që shtrohej ishte se ku i gjenin paratë zyrtarët e lartë për të blerë dyqane e biznese? A ishin rrogat e tyre si ministra aq të larta sa për të blerë të tilla? Natyrisht që jo".

Zoti Ryerson i ndjek me vemendje polemikat e ashpra në skenën politike shqiptare dhe ai mendon se debatet janë diçka e shëndetëshme. E keqja vjen, thotë ai, kur ato degjenerojnë në sjellje prej fëmijësh, siç është parë të ndodhë në parlamentin shqiptar.

"Kur debati i ashpër politik degjeneron në bojkotime të gjata ose në sjellje prej kllouni në parlament, atëhere Bashkimi Evropian do të thotë: këta janë fëmijë, ne nuk kemi nevojë për ta në gjirin tonë, prandaj le të mos nxitojmë por t’i lemë të rriten edhe pak. Pra në këtë kuptim kjo ka një efekt negativ për Shqipërinë. Shqipërisë nuk i intereson një gjë e tillë. Ajo ka nevojë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Debatet sot në Shqipëri u ngjajnë më shumë të bërtiturave", thotë Ryerson.

Dhe jo se shqiptarët e kanë në traditë të bërtasin kur flasin.

"Sipas Kanunit, të bërtiturit konsiderohej fyerje. Askush nuk duhet ta ngrinte zërin, por secili duhet të fliste me qetësi dhe të paraqiste arësyet e veta. Natyrisht secilit i lejohej të fliste sa të donte megjithëse ndonjëherë mund të ishte e bezdisëshme për ata që dëgjonin, por pastaj ai që fliste pushonte në mënyrë që të lejohej tjetri të fliste".

Ambasadori Ryerson i ka ndjekur me interesim përpjekjet kundër korrupsionit që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Ai ka ndjekur gjithashtu betejën e sotme politike të kryeministrit Sali Berisha për zëvendësimin e prokurorit të përgjithshëm.

Pyetjes nëse kjo luftë mund të quhet ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve ai i përgjigjet kështu:

"Mendoj se çdo shoqëri dhe çdo entitet politik duhet ta përcaktojë vetë se ku duhet vendosur kufiri. Njerëzit kanë mendime të ndryshme se ku duhet të jetë një kufi i tillë. Por përsa i përket Shqipërisë, atje mbeten shumë gjëra për t’u bërë. Dhe unë do ta lavdëroja qeverinë që pati kurajon ta ndërmerrte këtë luftë për t’ua hequr disa njerëzve fitimet e siguruara me rrugë të paligjshme".

Zoti Ryerson paralajmëron se rruga është plot të papritura. Për shembull ai thotë se trajtimi që zoti Berisha i bëri së ashtuquajturës çështje “Ngjela”, i kujton disa momente të së kaluarës jo shumë të largët.

"Nuk është shumë e vështirë t’i bësh pyetjen vetes nëse kjo është përsëritje e asaj që ndodhi me Eduard Selamin dhe me të tjerët, pra kur dikush ngre zërin dhe thotë se nuk mendon njëlloj, papritur bëhet i padëshirueshëm. Më duket se çështja e zotit Spartak Ngjela të kujton pikërisht atë kohë kohë dhe është paksa alarmuese".

Ambasadori thotë se zgjedhjet e korrikut 2005 ku kalimi i pushtetit u bë pa dhunë dhe relativisht i qetë ishin një shenjë inkurajuese por jo garanci për të ardhmen:

"Jo, ato nuk janë garanci se në ardhmen do të ketë harmoni. Ne këtu në Shtetet e Bashkuara na u desh një kohë shumë e gjatë, pastaj patëm edhe luftën civile. Pra garanci nuk ka. Sidoqoftë zgjedhjet ishin një shenjë e mirë".

Ambasadori Ryerson është një lexues i etur dhe politika nuk është pasioni i tij i vetëm. Nëse nuk lexon diçka për Shqipërinë ose për Kosovën, atë mund ta gjesh të zhytur në një artikull shkencor për misteret e diellit ose të gjenetikës njerëzore.

Zoti Ryerson reflekton shpesh për lidhjet e ngushta të shqiptarëve me Amerikën, të cilat kanë një histori të gjatë. Emigracioni, mendon ai, ka luajtur rol që tek shqiptarët u krijua një dashuri e madhe për Amerikën.

"Ishin lidhjet midis familjeve si rrjedhojë e imigracionit por edhe perceptimi tek shqiptarët për Amerikën si një vend që përfaqësonte lirinë. Një nga gjërat më të efektëshme për ruajtjen e këtyre lidhjeve ishte Zëri i Amerikës. Kur unë arrita në Shqipëri në vitin 1991, njerëzit më thoshin se nëse diçka nuk e dëgjonin nga Zëri i Amerikës, ajo nuk duhet të ishte e vërtetë, sepse në atë kohë kishte një mosbesim të jashtëzakonshëm, një zemërim dhe urrejtje ndaj qeverisë".

Në tarracën e shtëpisë nga mund të shikosh gjelbërimin e pafund të pemëve, zoti Ryerson kujton me mall gjestet e shumta miqësore të njerëzve të thjeshtë që njohu në Shqipëri. Një keqardhje për të është se shumë nga këta njerëz e pritën demokracinë me shpresa të ekzagjeruara për pasurim të shpejtë të cilat nuk mund të bëheshin realitet menjëherë. //rd//

XS
SM
MD
LG