Lidhje

Çfarë do të thotë të kalosh një pasdite në shoqërinë e Renuarit?


Uashingtoni njihet si qendra më e fuqishme e politikës ndërkombëtare, si një qytet me disa universitete me zë dhe me dendësinë më të madhe të avokatëve se çdo qytet tjetër në botë. Por Uashingtoni është edhe një qendër arti dhe argëtimi. Koleksioni Filips, muzeu i parë i artit modern në Shtetet e Bashkuara, organizon shpesh mbrëmje artistike. Këtë javë veprimtaritë kishin në qendër Parisin e shekullit të 19-të dhe pasqyrimin e tij në veprat e impresionistëve.

Çfarë do të thotë të kalosh një pasdite në shoqërinë e Renuarit? Një përvojë të ngjashme u përpoq ta bëjë realitet Koleksioni Filips, duke organizuar një mbrëmje ku mund të shoqëroheshe me miqtë e Renuarit, dhe të dëgjoje muzikë që ka dëgjuar edhe vetë artisti. Aktorë me veshje tipike të fundit të shekullit të 19, portretizojnë figura të njohura të artit dhe letërsisë franceze në shekullin e 19, ndër të cilët edhe gruaja e tij e ardhshme e Piktorit, të cilët janë përjetësuar në veprën e tij “Festë në Varkë”.

Në Uashington art-dashësit po festojnë kthimin e kësaj pikture në Koleksionin Filips, pas një turneu katër vjeçar nëpër botë dhe brenda Shteteve të Bashkuara. Për ta bërë vizitën në ekspozitë sa më interesante në ekspozitë është ftuar këtë mbrëmje edhe një këngëtare e stilit kabare.

Koleksioni Filips i hapi dyert për publikun në vitin 1921 duke shënuar themelimin e muzeut të parë të artit modern në Shtetet e Bashkuara. Themeluesi i tij Duncan Philips ridhte nga një familje e pasur industrialiste dhe ishte një artdashës me sy të pagabueshëm. Ai donte të krijonte një skenë ku të paraqiteshin veçse veprat më të mira të artit modern, siç shprehej ai. Dhe premtimi i zotit Philips nuk do të lërë njeri të zhgënjyer. Duke kaluar mes sallave të ekspozitës, mund të dallosh stilin e njohur të Van Gogut në pejsazhin Në Hyrje të Kopshteve të Arlesit , apo të shijosh për pak çaste Dhomën Blu të Pikasos, ose Palmën e Bonardit. Por mbi të gjitha mund të mësosh hollësi për periudhën kur u punuan këto vepra, dhe rrymën artistike së cilës i përkisnin.

Gjatë vizitës në ekspozitë, mund të shohësh si përballen me njëri tjetrit hijet e legjendave të shekullit të kaluar me legjendat e këtij shekulli. Joe Turner është piktore e njohur dhe kritike arti nga Britania. Për të, vepra e impresionistëve ka një mesazh për këdo: "Mendoj se punimet e tyre kanë vlerë, pasi kanë një pamje të freskët edhe sot. Mund edhe t’i vizitosh vendet konkrete ku kanë pikturuar artistët dhe të shohësh në realitet ato që kanë pikturuar. Këto vende nuk kanë ndryshuar. Ata janë frymëzim për ne pasi na kujtojmë se nuk duhet të përpiqemi të ndryshojmë disa pjesë të bukura të botës" thotë artistja.

Për ata që duan të zhyten më konkretisht në atmosferën e Parisit të shekullit të 19-të, ekspozita ofron shpesh mundësi për punime artistike në një studio, ku gjithmonë do të gjesh një piktor apo skulptor të ardhshëm. Me një kapele prej letre, zam dhe pak shirita shumëngjyrshëm, mund të të duket vetja se po kalon një pasdite vere në një barkë mbi Senë. //rd//

XS
SM
MD
LG