Lidhje

Shqipëri: Forcat xheniere, operacion për mbledhjen e predhave pas shpërthimit të djeshëm


Forcat xheniere të ushtrisë filluan sot një operacion të mbledhjes dhe çmontimit të predhave që ranë dje në shtëpitë e banorëve në fshatin Dhëmblan të Tepelenës.

Banorët janë lejuar pjesërisht të hyjnë në fshat ndërsa korridori i sigurisë rreth zonës së shpërthimit është ngushtuar në distancën 500 metër. Ekspertët nuk kanë vendosur t’i afrohen zonës pasi ka ende shpërthime të vogla predhash. Një nënoficer rezulton i zhdukur ndërsa katër ushtarakët e tjerë të plagosur po marrin ndihmë intensive mjekësore.

Autoritet shqiptare thanë se njëri prej ushtarakëve, me shkallë të rënda djegieje nga shpërthimi është dërguar në një spital italian për tu kuruar. Në fshatin Dhëmblan autoritet vendore po përcaktojnë shkallën e dëmeve si pasojë e rënies së predhave dhe po u kërkojnë strukturave shtetërore të japin fonde të emergjencës.

Në zonë ishte sot për inspektime dhe Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe Shefi I Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Gjeneral Pëllumb Qazimi. Dy zyrtarët e lartë të ushtrisë vlerësuan angazhimin e të gjitha strukturave për evakuimin e banorëve të fshatit Dhemblan dhe dy fshatrave fqinje.

Shpërthimi në depot e ushtrisë ndodhi dje rreth mesditës kur disa ushtarakë po çmontonin predha dhe municione për t’i asgjësuar. Zona u pushtua nga flakët dhe më pas predha nisën të binin mbi shtëpitë e fshatarëve. Një pjesë e banorëve janë strehuar në vende të mbrojtura, ndërsa një pjesë tjetër kanë mundur të evakuohen.

Mesditën e sotme policia ngushtoi zonën e sigurisë rreth depove me municione nga të cilat tre vlerësohen se kanë shpërthyer, ndërsa tre të tjera nuk janë përfshirë nga flakët. Depot e municioneve ishin krijuar në vitin 1998 në këtë zonë që kishte shëhrbyer më parë si vend grumbulimi i rezervave ushqimore të shtetit.//lk

XS
SM
MD
LG