Lidhje

Nënpresidenti Çejni shpreh mbështetje ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe në NATO


Nënpresidenti amerikan Dik Çejni shprehu mbështetje ndaj përpjekjeve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Nënpresidenti i bëri komentet sot në Dubrovnik të Kroacisë gjatë samitit të vendeve të Kartës së Adriatikut, ku bëjnë pjesë të tre këto vende ballkanike. Ai tha se anëtarësimi i tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të ndihmonte për t’i “rinuar” të dyja këto organizata. Zoti Çejni gjithashtu lavdëroi të tre këta vende për bashkëpunimin me trupat e NATO-s dhe ato amerikane në Afganistan dhe Irak.

Nënpresidenti Çejni falenderoi Kroacinë për kontributin e saj ndaj forcës së NATO-s në Afganistan dhe i përshëndeti aspiratat për t’u anëtarësuar në aleancën atlantike.

"Ne e mbështesin me forcë Kroacinë në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e komunitetit ndëratlantik, si në kuptimin e bashkëpunimit me NATO-n ashtu edhe me komunitetin evropian”, tha zoti Çejni.

Më pas Nënpresidenti amerikan u takua me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë të cilët shprehën dëshirën për t’u pranuar sa më shpejt në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

"Anëtarësimi në NATO është një objektiv strategjik i vendit tim,” tha në konferencë Kryeministri kroat Ivo Sanader.

Ndërsa Kryeministri Berisha tha:

"Ne e shikojmë anëtarësimin në NATO si përparësi kryesore dhe për këtë qeveria ime është gati të të marrë çdo vendim dhe të paguajë çdo çmim për të venë në zbatim planin e veprimit për anëtarësimin në NATO. Gjatë këtyre 15 vjetëve Shqipëria ka treguar një partneritet të vërtetë dhe të palëkundur ndaj NATO-s. Ajo do të jetë kudo që është dhe do të jetë NATO-ja, kudo që janë dhe do të jetë Shtetet e Bashkuara, në mbrojtje të lirive dhe vlerave të përbashkëta," tha Kryeministri Berisha.

Ndërsa Kryeministri maqedonas Vllado Buçkovski tha se në vetëm katër vjet, Republika e Maqedonisë është transformuar nga një konsumatore e NATO-s dhe e ndihmës së re për sigurinë në një kontribuese e sigurimit të ri atlantik. Zoti Çejni e vizitoi Kroacinë në kuadrin e një turneu që përfshinte tre vende. Gjatë vizitave ai u takua me udhëheqës të më shumë se dhjetë vendeve, shumica e tyre në Evropë.

Gjatë turneut dhe bisedimeve të tij ai e vuri theksin te reformat demokratike në vendet që gjatë Luftës së Ftohtë kanë qenë ose pjesë e ish Bashkimit Sovjetik ose jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë të Kremlinit. Shtetet e Bashkuara ka vite që i inkurajojnë aspiratat e Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë për t’u pranuar në NATO.//lk

XS
SM
MD
LG