Lidhje

Marrëdhënie të organizmave ndërkombëtare dhe shteteve-kandidate lidhur me reformat dhe institucionet vendase


Natoja përbëhet nga 26 vende-anëtare, 7 prej të cilave u pranuan në mars të 2004-ës. Bashkimi Evropian ka 25 vende, ndërkohë që shtete të tjera, si Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, kush më pranë e kush më larg, vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim. Por çfarë i karakterizon marrëdhëniet ndërmjet këtyre vendeve dhe organizatave ku ato kërkojnë të anëtarësohen? Profesor Uejd Xhejkobi, ekspert për Evropën në Universitetin Brajhëm Jang (Brigham Young) të shtetit Juta shpjegon se ekzistojnë disa paradokse që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e vendeve-kandidate, si Shqipëria, me organizmat ndërkombëtare gjatë procesit të reformave dhe forcimit të institucioneve.

Në librin e tij “Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe i Natos”, Profesor Xhejkobi vëren se organizmat e jashtëm janë më agresivë në përcaktimin dhe arritjen e objektivave për vendet kandidate, ndërkohë që aktorët e brendshëm, si qeveritë apo parlamentet e këtyre vendeve, janë më ngurrues.

Këto prirje, thotë ai, shkaktojnë mungesë harmonie në përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve dhe, si rezultat, vonesa. Ai sugjeron që thellimi i reformave të bëhet gradualisht. “Për shembull Bashkimi Evropian, ndërkohë që vetë nuk është shumë transparent, praktikë nxit transparencë në shoqëritë post-komuniste. Sidoqë të jetë, në parim mendoj se aktorët e huaj duhet të synojnë thellim gradual të reformave, njëlloj si mekanizmi që kontrollon shpejtësinë tek automjetet, duke ua lënë aktorëve të brendshëm pedalin e shpejtësisë. Këto të fundit kur shohin se janë krijuar kushtet, e shtojnë shpejtësinë e reformave, ndërkohë që kanë marrë në dorë përgjegjësi më të mëdha”, thotë profesori.

Ai thotë se, në përcaktimin dhe vlerësimin e standardeve, është e rëndësishme që aktorët e jashtëm të jenë rigorozë, por edhe të lakueshëm në kërkesat e tyre. Ai vlerëson së pari logjikën e institucioneve e më pas strukturën dhe formën e tyre. Në rastin e Kosovës, e cila po i afrohet përcaktimit të statusit përfundimtar, Profesor Xhejkobi parashikon që institucionet e vendit të kalojnë fillimisht një periudhë eksperimentimi. “Mund të bëhen eksperimentime parimesh e modelesh dhe unë do t’i këshilloja kosovarët të mendojnë veçanërisht për parimet mbi të cilat ndërtojnë institucionet, dhe jo vetëm për strukturën e tyre”.

Ai këshillon që institucionet dhe forcat politike në Kosovë të kërkojnë nga njëra anë zgjidhje e modele të gatshme, por duke eksperimentuar njëkohësisht zgjidhje origjinale në varësi të situatave.

Profesor Jacoby thotë se gabime edhe mund të bëhen. E rëndësishme, sipas tij, është që ato të mos kthehen në shkëndija për konflikte të forta politike, por në faktorë nxitës për të gjetur zgjidhje.

Mbi temën e marrëdhënieve të vendeve-kandidate me organizmat ndërkombëtare, Wade Jacoby mbajti nje ligjerate ne Qendren Nderkombetare te Studiuesve Woodrow Wilson këtu në kryeqytetin amerikan. //az//

XS
SM
MD
LG