Lidhje

Pekini kërkon ekstradimin e 5 shtetasve kinezë nga Shqipëria


Qeveria e Pekinit i kërkoi sot autoriteteve shqiptare ekstradimin në Kinë të 5 shtetasve të saj të etnisë uigure, ish të burgosur në Guantanamo të Kubës, të cilët ndodhen në Shqipëri ku kanë kërkuar azil politik. Kërkesa iu paraqit sot ministrit të jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj nga ambasadori kinez në Tiranë. Qeveria e Kinës i konsideron të 5 të liruarit nga Guantanamo si terrorristë. Ata u pranuan nga Tirana të premten e shkuar pas kërkesës nga Departamenti amerikan i shtetit.

Historia e 5 kinezëve të mbërritur në Shqipëri ku ata kanë kërkuar azil rrezikon të komplikohet dhe të fusë Tiranën në një vorbull të padëshiruar diplomatike duke acaruar marrëdhëniet e saj me një shtet të fuqishëm si Kina.

Sot ambasadori kinez në kryeqytetin shqiptar Tian Changchun i ka kërkuar ministrit të jashtëm shqiptar ekstradimin sa më shpejt të 5 personave të etnisë uigur, të cilët janë të fesë muslimane dhe që sipas Pekinit janë anëtarë të organizatave të cilat luftojnë për shkëputjen e disa territoreve nga Kina.

Në një deklaratë të ambasadorit Changchun thuhet se “të pesë të pandehurit e ndaluar për terrorrizëm në Guantanamo nuk janë në asnjë menyrë refugjatë por anëtarë të organizatës terroriste “Turkistani Lindor”.

Sipas ambasadorit të 5 ish të burgosurit kanë përkrahur talebanët në luftën e Afganistanit dhe organizata e tyre është përfshirë në listën e grupeve terroriste të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Sipas të drejtave ndërkombëtare, të pandehurit duhet të rikthehen në Kinë” shkruhet në deklaratën e ambasadorit kinez.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm shqiptar Mustafaj e ka njohur ambasadorin kinez me hollësitë e mbërritjes së këtyre shtetasve në aeroportin e Rinasit. Ai e siguroi atë se organet kompetente të shtetit shqiptar do të hetojnë seriozisht për aktivitetin e tyre të mëparshëm. Në komunikatën e ministrit shqiptar nuk thuhet në asnjë moment se mbërritja e tyre në Shqipëri u bë pas kërkesës së qeverisë amerikane. Megjithatë ministri ka ripërsëritur qëndrimin e qeverisë shqiptare se nje njeh një Kinë të vetme dhe se ky është qëndrimi i saj i pandryshueshëm.

Gjithashtu ministri Mustafaj e siguroi ambasadorin Tian Changchung, se qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar kanë vullnet të plotë për ta trajtuar këtë çështje në perputhje me ligjet shqiptare dhe konventat ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë ka aderuar.

Qeveria amerikane kërkoi strehimin e tyre në Shqipëri pasi vlerëson se jeta e të 5 të pandehurve të shpallur të pafajshëm do të vihej në rrezik nëse ato do të ktheheshin ne atdheun e tyre. Ata u sollën të premten e kaluar, ndërsa prej dy ditësh pranë tyre ndodhet dhe një avokat amerikan.


XS
SM
MD
LG