Lidhje

Patozi: Qëndrimet e kundërta nuk do ta pengojnë punën e Komisionit Hetimor ndaj çështjes Sollaku


Zëri i Amerikës: Zoti Patozi, cili është objekti i hetimit të komisionit që ju po drejtoni?

Astrit Patozi: Objekti është shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku dhe shqyrtimi i të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve antiligjore të Kryeprokurorit gjatë kryerjes së funksionit të tij.

Zëri i Amerikës: Si u përcaktua ky objekt i Komisionit Hetimor, ose më mirë, kush vendosi për objektin e këtij komisioni hetimor?

Astrit Patozi: Ky komision është duke përmbushur vendimin e Parlamentit të Shqipërisë, i cili para pak ditësh, me shumicën e votave mori këtë vendim, pra dhe përcaktoi objektin dhe kohëzgjatjen e këtij komisioni. Ne, jemi thjesht zbatuesit e këtij vendimi.

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike dhe Kryeministri Berisha e kanë sulmuar ashpër Prokurorin e Përgjithshëm, madje edhe sot, në komentet e tij, kryeministri Berisha është shprehur për lidhje të tij me botën e krimit. A nuk e paragjykojnë këto vendimin e komisionit?

Astrit Patozi: Jo, absolutisht. Komisioni vazhdon linjën e tij, zbaton vendimin. Ka shumë argumente, ka shume inditje(lexo: akuza) që tregojnë shkelje ligjore te qarta të Kryeprokurorit gjate ushtrimit te funksionit të tij, ka gjithashtu edhe dyshime tepër të forta për përzjerje dhe lidhje të tij me elementë të inkriminuar, të cilët janë shmangur nga hetimi. I mbetet këtij komisioni për të argumentuar dhe për të arritur në përfundimin në se gjithshka thuhet dhe gjithshka ka në dorë deri tani komisioni janë të vërteta, ose jo.

Zëri i Amerikës: Zoti Patozi, përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës në Komision kanë qëndrime diametralisht të kundërta për çështjen. Në këto kushte si do të mund të garantoni ju që hetimi të realizohet me objektivitet?

Astrit Patozi: Unë mendoj se qëndrimet e kundërta nuk do ta pengojnë punën e këtij komisioni; përfaqësuesit e maxhorancës janë të bindur se ka probleme në kryrjen e detyrës dhe në kryrjen e funksionit të Kryeprokurorit të Përgjithshëm, do të përpiqen që gjatë hetimit, të provojnë akuzat, ndërsa pala tjetër, ka të gjithë mundësinë e duhur për të provuar të kundërtën, që këto akuza nuk qëndrojnë, prandaj është ngritur edhe Komisioni Hetimor.

Zëri i Amerikës: Opozita e ka paditur në Gjykatën Kushtetuese procedurën e ngritjes së këtij komisioni, dhe ka kërkuar që ai të mos funksionojë deri në një vendim të kësaj Gjykate. Cili është mendimi juaj për këtë?

Astrit Patozi: Unë mendoj që ky është një qëndrim absurd, ashtu siç është absurd edhe vetë atakimi në Gjykatën Kushtetuesi i ngritjes së këtij Komisioni. Unë mendoj se këto janë dy gjëra krejt të ndryshme; Komisioni është ngritur që të funksionojë, ndërkohë që mbetet për t’u pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk besoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë që ky komision të pezullohet, çka do të ishte krejtësisht qesharake.

Zëri i Amerikës: A pritet që procesi i hetimor të jetë i gjatë?

Astrit Patozi: Ky process do të jetë brenda limiteve kohore që ka përcaktuar Kuvendi. Në se ne do të arrijmë më shpejt, atëhere do të nxjerrim dhe raportin përfundimtar. Limitet kohore jane dy muaj. Ne brenda dy muajve gjykoj se është një kohë e mjaftueshme për të arritur në përfundime.

Zëri i Amerikës: A keni lënë një date të caktuar për një takim të dytë të Komisionit?

Astrit Patozi: Akoma nuk është përcaktuar, por besoj që brenda dy-tre ditësh do të zhvillohet mbledhja e dytë e Komisionit.

Zëri i Amerikës: Në takimin e sotëm, konkretisht për çfarë biseduat në mbedhjen e Komisionit?

Astrit Patozi: Në mbledhjen e Komisionit, sot ishte konstituimi i tij, zgjedhja e sekretarit dhe paraqitja e planit paraprak të hetimit nga Kryetari i Komisionit. Pati debate për rendin e ditës, opozita u përpoq që të shpërngulte debatin e Kuvendit në Komisionin hetimor, por pastaj gjithshka u kapërcye dhe u kalua ne rendin e ditës, normalisht.

XS
SM
MD
LG