Lidhje

Debati për azilkërkuesit kinezë në parlamentin shqiptar


Në Shqipëri Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme debatoi sot rreth çështjes së pesë shtetasve kinezë të etnisë ujgure, të cilët pas kërkesës së Departamentit amerikan të Shtetit u pranuan si refugjatë nga autoritetet shqiptare. Të pesë kinezët kanë kërkuar strehim politik. Por sot sërish Pekini nëpërmjet zëdhënësit të ministrisë së jashtme ka përsëritur kërkesën për ekstradimin e tyre duke deklaruar se Shetetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë shkelur rëndë ligjet ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Çështja e 5 kinezëve të etnisë ujgure, ish të burgosur në Guantanamo të Kubës të cilët të premten e kaluar u sollën nga Shtetet e Bashkuara në Tiranë ku ata kërkuan menjëherë strehim politik, ka përfshirë edhe parlamentin. Komisioni i Politikës së Jashtme debatoi sot rreth situatës diplomatike të krijuar pas reagimit të Kinës e cila ka kërkuar ekstradimin e tyre duke i konsideruar ata si terroristë.

Vlerësimet e deputetëve kanë qenë të ndryshme. Kryetari i Komisionit Preç Zogaj ka vlerësuar se Shqipëria do të zbatojë të gjitha konventat që parashikojnë raste të tilla dhe se ajo nuk do të strehojë asnjë keqbërës. Ndërsa ish Ministri i Jashtëm Paskal Milo është shprehur se kjo është një çështje delikate që ka të bëjë me raportet me shtete mike dhe ka kërkuar që diplomacia shqiptare të jetë e kujdesshme për të ruajtur balancat mes këtyre shteteve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Liu Juanchao ka përsëritur sot kërkesën për riatdhesimin në Kinë të pesë ish të burgosurve me origjinë nga krahina e Xinjiangut, të cilët konsiderohen si anëtarë të lëvizjes Turkistani Lindor. Forcat terroriste të kësaj lëvizje janë pjesë e terrorizmit ndërkombëtar – ka deklaruar zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze - dhe ata kanë lidhje të ngushta me Al Qaedën dhe Talebanët. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë shkelur rëndë ligjet ndërkombëtare dhe rezolutat e rëndësishme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka vazhduar ai duke shtuar se Pekini e kundërshton hapur këtë situatë dhe se është thellësisht i pakënaqur.

Çështja ka marrë përmasa jo të vogla. Vëzhgues ndërkombëtar kanë vlerësuar megjithatë se Kina mund të mos ndërmarrë veprime të tjera përtej kërkesës për ekstradim pasi nëse të 5 kinezët ujgurë do të ktheheshin në Kinë, atëherë sistemi gjyqësor kinez do të vihej nën një vëzhgim të rreptë ndërkombëtar.

Por vëzhguesit në Shqipëri e shohin këtë çështje në kuadrin e krizës së vështirë që mund të krijohet në marrëdhëniet me Kinën, një superfuqi me influenca të rëndësishme në organizmat ndërkombëtar vendimmarrës. Të 5 ish të burgosurit e Guantanamos mbërritën në Shqipëri të premten e kaluar.

Qeveria amerikane falënderoi autoritetet shqiptare të cilat pranuan t’i strehonin ata, ndërkohë që autoritetet e këtushme për asnjë çast nuk kanë përmendur faktin që vendimi i tyre u mor pas kërkesës nga Uashingtoni. Për të 5 ujgurët etnikë kanë nisur procedurat për e statusit të azilantit. //rd//

XS
SM
MD
LG