Lidhje

Mohamed el-Baradei përsëriti thirrjen për një zgjidhjeje diplomatike të krizës me Iranin


Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohamed el-Baradei, përsëriti thirrjen për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike të krizës lidhur me programin e dyshuar pbërthamor të Iranit.

Duke folur sot në Amsterdam, zoti el-Baradei mirëpriri shtyrjen e një debati të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vendosur apo jo sanksione kundër Teheranit. Qeveri perëndimore po kërkojnë miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit, e cila do ta detyronte Iranin të ndalonte të gjhitha veprimtaritë për pasurimin e uraniumit, përndryshe do të përballet me sanksione.

Zoti el-Baradei tha se shpresonte që të dyja palët të bien dakord mbi një kompromis që do të siguronte të drejtën e Iranit për teknologji bërthamore për qëllime paqësore. Ai i bëri gjithashtu thirrje Iranit të ndërmarrë masa për shtimin e besimit me komunitetin ndërkombëtar.

Ndërkohë, presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad tha se është i gatshëm të angazhohet në dialog me këdo për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth programit bërthamor.

Duke folur sot në Xhakartë të Indonezisë, zoti Ahmedinexhad tha se është qesharake dhe qendrim me kritere të dyfishta për vendet me arsenale të mëdhenj bërthamorë t’u thonë të tjerëve që të mos zhvillojnë programe bërthamore paqësore.

XS
SM
MD
LG