Lidhje

ElBaradei mirëpret vendimin për shtyrjen e debatit të Këshillit të Sigurimit për Iranin


Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Mohamed ElBaradei, mirëpriti vendimin për shtyrjen e një debati të Këshillit të Sigurimit rreth vendosjes apo jo të sanksioneve ndaj Iranit.

Zoti ElBaradei tha dje në Amsterdam se është optimist se të gjitha palët do të tërhiqen nga lufta e fjalëve rreth programit bërthamor të Iranit. Ai bëri përsëri thirrje për kompromise nga të dyja palët. Britania, Franca dhe Gjermania po përgatisin stimuj për ta nxitur Iranin të heqë dorë nga ambicjet e tij bërthamore. Pritet që këta stimuj t’i paraqiten Iranit brenda pak javësh së bashku me kërcënimet për vendosjen e sanksioneve.

Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, thotë se Uashingtoni mbështet përpjekjet evropiane.

Presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, i tha dje televizionit indonezian se ai është i gatshëm të angazhohet në dialog me këdo, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Por, ai shtoi se është qesharake që fuqitë bërthamorë t’i bëjnë trysni Iranit të heqë dorë nga një program bërthamor paqësor, siç u shpreh ai.

XS
SM
MD
LG