Lidhje

Presidenti Bush në mbrojtje të kandidaturës për postin e drejtorit të CIA-s


Presidenti Bush i doli në mbrojtje kandidaturës së tij për postin e kreut të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, si dhe përpjekjeve për përgjim brenda vendit me qëllim parandalimin e sulmeve terroriste, përpjekje që kanë ngjallur debate.

Në fjalimin e tij të përjavshëm të së shtunës, zoti Bush tha se Gjenerali Michael Hayden është përsosmërisht i kualifikuar për të drejtuar CIA-n, agjenci që e cilësoi si themelore për sigurimin e popullit amerikan. “Për vitin e kaluar gjenerali ka qenë zëvendësi i parë i drejtorit të zbulimit kombëtar dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në përpjekjet e sektorit të zbulimit për të përballuar kërcënimet e shekullit të ri. Ai ka më shumë se 2 vjet përvojë në këtë fushë, ka qenë gjashtë vjet drejtor i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar dhe në biografinë e tij profesionale ka arritje në transformimin e kësaj agjencie gjigande zbulimi", tha presidenti.

Zoti Bush, i cili u nis dje për në vendpushimin presidencial Camp David, e emëroi Gjeneralin Hayden për të zëvendësuar drejtorin aktual të CIA-s, Porter Goss, që dha dorëheqjen këtë javë. Hayden pritet të përballet me pyetje të forta në seancën për konfirmimit të tij në senat, pas njoftimeve për veprimtaritë përgjuese të qeverisë në ndjekje të personave të dyshuar si terroristë.

Pyetje të tjera u ngritën pardje, kur një gazetë amerikane njoftoi se Agjencia e Sigurimit Kombëtar ka përfshirë në sistemin e saj miliona të dhëna mbi thirrje telefonike, të marra nga kompanitë kryesore amerikane të telekomunikacionit.

Gjenerali Hayden ka drejtuar Agjencinë e Zbulimit Kombëtar gjatë kohës, për të cilën thuhet se kjo agjenci filloi programin në fjalë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Shtëpia e Bardhë as nuk e ka konfirmuar dhe as e ka hedhur poshtë nëse një program i tillë ekziston, por në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush mbrojti përsëri praktikën e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar mbi përgjimet e bisedave të të dyshuarve si terroristë, brenda e jashtë vendit. “Amerikanët kërkojnë që qeveria e tyre të bëjë gjithçka që mundet në bazë të ligjit dhe kushtetutës për t’i mbrojtur ata dhe liritë e tyre civile. Dhe pikërisht këtë po bëjmë. Deri tani kemi patur sukses në parandalimin e një sulmi tjetër në territorin e Shteteve të Bashkuara”, tha presidenti.

Në përgjigjen e demokratëve ndaj fjalimit të Presidentit në radio, një ligjvënës nga Florida tha se një program i përkrahur me forcë nga Presidenti Bush për të ndihmuar pensionistët në përballimin e kostos së ilaçeve me recetë është i paqartë për shumë të moshuar. Senatori Ron Klein, në shtetin e Floridës kërkoi shtyrjen e afatit të së hënës për t’u regjistruar në këtë program, duke thënë se shumë pensionistë kanë nevojë për më shumë kohë. //rd//

XS
SM
MD
LG