Lidhje

Bush: Nevojë urgjente për reformimin e sistemit të imigracionit


Presidenti Bush do të mbajë nesër një fjalim mbi nevojën urgjente për reformë në sistemin e imigracionit. Ndërkohë që një projekt-ligj i rëndësishëm mbi imigracionin ka ngecur në Kongres, ligj-vënësit nga më shumë se 40 shtete po shqyrtojnë mënyrat e tyre për të përballuar problemin e imigracionit të paligjshëm.

Ligjvënës nga 43 shtete kanë miratuar ose marrë në shqyrtim këtë vit masa që kanë të bëjnë me imigracionin, shumë prej të cilave vështirësojnë vendosjen e imigrantëve në shtetet përkatëse.

An Mors, drejtoreshë në Konferencën Kombëtare të Ligjvënësve Shtetërorë, e cila vëzhgon veprimtarinë e legjislacionit të shteteve, thotë: “Ligjvënësit e shteteve po u përgjigjen shqetësimeve të publikut.” Një ligj i ri në shtetin e Xhorxhias ndërpret përfitimet shëndetsore dhe shërbime të tjera sociale për imigrantët e paligjshëm dhe ndëshkon ata që i punësojnë.

Shtetet e Ohajos, Arizonës dhe Dakotës së Jugut kanë miratuar ligje që i japin të drejtën policisë të kontrollojë dokumentat e të gjithë të dyshuarve në një krim. Në të njëjtën mënyrë po veprojnë shumë shtete duke miratuar ose shqyrtuar urdhëresa të ngjashme. An Mors shpjegon se ka disa arsye të rëndësishme për të cilat imigrantët e paligjshëm po ndiqen në nivel lokal dhe shtetëror: “Një nga arsyet është numri i popullatës së lindur jashtë Shteteve të Bashkuara i cili ka arritur në rreth 34 milionë. Pothuajse një nga tre imigrantë është pa dokumenta. Numri ka filluar të shqetësojë publikun. Shkaku i dytë është sulmi i 11 shtatorit, njerëzit janë të shqetësuar se amerikanët kanë humbur kontrollin e kufijve. Faktori i tretë është se me sa duket problemi ka ngecur në Kongres”, thotë zonja Mors.

Vitin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj ku bëhej thirrje për dëbimin e imigrantëve të paligjshëm, ndërkohë që deri kohët e fundit Senati ka qenë i ngadalëshëm në përpjekjet për arritjen e një përfundim mbi variantin e tij, i cili do të lejonte imigrantët e paligjshëm që nga viti 2004 të pajiseshim me leje pune të përkohëshme dhe ndoshta me shtetësinë amerikane.

Senati mund të marrë së shpejti një vendim mbi këtë problem, por ende nuk është e qartë nëse ligjvënësit e dy dhomave të Kongresit do të bien dakord dhe nëse ligji mbi imigracionin do t’i afrohet më shumë ligjit më të ashpër të Dhomës së Përfaqësuesve apo variantit më liberal të Senatit.

Ndërkohë, ligjvënësit në nivel shtetëror e kanë bërë të qartë se nuk do të presin për vendimin e Kongresit. Për shembull në komunën Marikupa në shtetin e Teksasit, e cila ndodhet në kufi me Meksikën, sherifi po zbaton ligje më të rrepta kundër trafikut me qenie njerëzore. Kurse grupet që përfaqësojnë të drejtat e imigrantëve të paligjshëm thonë se sherifi i kësaj komune mund të përballet me një vendim gjyqi, pasi ai po zbaton ligje mbi imigracionin gjë që është një përgjegjësi federale.

Tanja Brodër është avokate në Qendrën Kombëtare për të Drejtën e Imigracionit, e cila ndodhet në Okland të Kalifornisë: “Në fakt, thotë zonja Brodër, disa qytete kanë paguar shuma të mëdha për të mbyllur gjyqe kundër tyre. Më e rëndësishmja është se policia pranon se nuk duhet të zbatojë ligje federale si ato të imigracionit.”

An Mors pranon se ka shumë paqartësi rreth autoritetit shtetëror ose federal mbi imigracionin e paligjshëm: “Kodi i ligjit të imigracionit është i dyti nga madhësia pas atij të taksave, kështu që ligjvënësit shtetërorë mundohen të gjejnë hapësirat e ligjit të pambuluara nga vendimet federale për të vepruar.” Ndërkohë, është për t’u përmendur se disa shtete kanë miratuar ligje që favorizojnë imigrantët e paligjshëm, si përshembull çmimet për studime universitare të favorshme për banorët në shtetin e Nebraskës përfshijnë edhe fëmijët e imigrantëve pa dokumenta.

Edhe 9 shtete të tjera kanë miratuar ulje çmimesh për studimet universitare për studentë që vijnë nga familje imigrantësh të paligjshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG