Një prokuror amerikan i cili po heton rreth çështjes së nxjerrjes së emrit të një agjenteje të CIA-s në vitin 2003, paraqiti një shënim të shkruar me dorë nga nënpresidenti Dik Çejni, ku përmendej agjentja në fjalë para se emri i saj të përfundonte në faqet e gazetave.
Prokurori Patrik Ficxherald e paraqiti shënimin në dokumentet gjyqësore lidhur me akuzat e ngritura kundër zotit Ljuis Libi, ish shef i personelit të zotit Çejni.
Në dokumentet thuhej se nënpresidenti Çejni e kishte bërë shënimin mbi tekstin e një artikulli të shkruar nga Xhozef Uillson, bashkëshort i agjentes së CIA-s, i cili fliste rreth një vizite në Niger për të hetuar nëse Iraku vërtet kishte importuar uranium nga ky vend.
Sipas dokumenteve gjyqësore, në shënim zoti Çejni pyeste nëse zyrtarët e kishin miratuar vizitën apo nëse ai ishte dërguar atje nga bashkëshortja e tij Valeri Pllejm për të mbledhur informata në emër të saj.
Në dukumentet e prokurorit thuhet gjithashtu se shënimi tregonte që nënpresidenti Çejni dhe zoti Libi ishin mjaft të preokupuar për pretendimet e ambasadorit Uillson në artikull dhe për mënyrën se si duheshin hedhur poshtë kritikat e tij ndaj Shtëpisë së Bardhë. //rd//